Drejtuesi i PD për qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti ka akuzuar drejtuesin e PS për këtë qark, Blendi Klosin se ka angazhuar njerëz që po dhunojnë vëzhguesit e PD. Alizoti thotë se në KZAZ 65 në Berat është dhunuar vëzhguesi i PD, Arben Mpeshtanaku. Ai shprehet se çdo gjë është e filmuar dhe se pamjet do t'i dërgohen prokurorisë, ndërsa thekon se nëse një gjë e tillë ndodh sërish, 'hera e dytë nuk do të jetë më paralajmërim'.
"Është rrahur një vëzhgues i PD publikisht dhe është poshtëruar publikisht. Si drejtues i qarkut të Beratit, i bëj thirrje Blendi Klosit, drejtuesit të PS që të tërheqë zagarët e tij se do mbajnë përgjegjësi personale, çdo gjë është e filmuar. I paralajmëroj të gjithë, askush nuk ka të drejtë të prekë asnjë demokrat, çdo gjë është e filmuar dhe do i kalojnë prokurorisë, hera e dytë nuk do jetë më thirrje, paralajmërojmë të gjithë zagarët e Klosit të tërhiqen", tha Alizoti.