Sevilla fitoi 2-1 me Juventusin në gjysmëfinalen e kthimit në Europa League dhe kështu merr të drejtën për të luajtur në finalen e këtij kompeticioni kundër Romës, më 31 maj në Budapest.
"Zonja e Vjetër" sheh një tjetër sezon të dështuar dhe pa trofe, teksa pas ndeshjes për mediet trajneri Massimiliano Allegri tha se djemtë që drejton e meritonin finalen, por iu mungon eksperienca.
"Kur luan këto ndeshje, kaq të rëndësishme ku detajet bëjnë diferencën, nga shënimi e pësimi zgjat pak kohë. Bëmë një ndeshje të mirë, janë situata që djemtë duhet të bëjnë, sidomos ata me pak eksperiencë ndërkombëtare. Ishte një ndeshje e fortë, ndeshje e bukur, por kemi pësuar golin e 2-1 dhe gabuam disa situata kur ishim 1-0, apo edhe 1-1.
Nuk kemi çfarë t’i bëjmë, ishte ndeshje e ekuilibruar, në fund festojnë ata. Si ne janë skuadra të tjera që nuk do çojnë trofe, është një vit i vështirë. Askush nuk lind i mësuar, ishte ndeshje e fortë sot, në disa situata e paguam shtrenjtë. Por do rikuperojmë energji dhe do të shohim që në fushë në kampionat të mbërrijmë të dytët. Më vjen keq që nuk shkuam në finale, se djemtë e meritonin", tha Allegri.