Milani ka hedhur sytë nga Dusan Vlahoviç për të kompletuar repartin sulmues, me trajnerin Masimiliano Allegri që ka vendosur sulmuesin serb si objektivin kryesor të merkatos.
Pas rikthimit të Tammy Abraham te Roma, largimit të mundshëm të Luka Joviç dhe huazimit të pritshëm të të riut Francesco Camarda, “Djalli” është i detyruar të ndërhyjë në merkato për të siguruar një partner të ri për Santiago Jimenez.
Sipas raportimeve të Sportmediaset, Allegri beson se Vlahoviç mund të rikthejë formën që e bëri një prej sulmuesve më të frikshëm në Serie A gjatë kohës te Fiorentina. Kontakti i parë me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij tashmë është vendosur, ndërsa Milani ka nisur diskutimet e para edhe me Juventusin.
Megjithatë, situata nuk është e lehtë. Deri pak javë më parë, drejtuesit bardhezinj ishin të hapur për shitjen e sulmuesit 25-vjeçar, por qëndrimi i tyre ka ndryshuar së fundmi. Trajneri Igor Tudor, i konfirmuar në krye të stolit deri në vitin 2027, dëshiron të mbajë Vlahoviçin dhe po tenton ta bindë për të rinovuar kontratën, duke i propozuar një ulje rroge nga 12 milionë eurot aktuale.
Nga ana tjetër, Milani është gati të paguajë deri në 25 milionë euro për kartonin e lojtarit, por paga e lartë mbetet një pengesë serioze. Megjithatë, drejtuesit kuqezinj mbeten të vendosur për të arritur marrëveshjen, ndërsa Vlahoviç do të marrë kohën e nevojshme për të marrë vendimin final mbi të ardhmen e tij.
Komente
