Kultura

  Alo gjyshi…(apo) eja të flasim për vdekjen!

3 Nëntor 2021, 16:19| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 16:23

  • Share

Kush mban mend në fëmijërinë e tij se kur ka dëgjuar për herë të parën për vdekjen? Ajo ka qenë e lidhur me ikjen e gjyshit, gjyshes, apo një të afërmi.  Dhe sa prej jush kanë ngritur një mijë e një pyetje rreth saj, sa janë trembur, sa nuk kanë kuptuar asgjë dhe enigma e vdekjes i ka përndjekur për vite me radhë? Sa prindër ndihen të stepur përballë fëmijëve të tyre kur vdekja ndodh?

Jam e bindur se kushdo që ka më shumë se dy dekada jetë, ia ka ndier shijen e hidhur vdekjes dhe është mpirë prej saj. Po aq sa besoj se një libër që tregon për vdekjen vështirë se mund të jetë ndjellës për t’u lexuar nga fëmijët. Akoma edhe më i vështirë është për t’u shkruar një libër i tillë për ta. E kam ndjerë atë vështirësi teksa shkruaja tregimin e shkurtër “Fluturimi i fundit” pjesë e “Kush e shëroi elefantushin” një botim dinjitoz dhe i kuruar nga psikologë,  për moshën parashkollore. Ndaj e mora për ta lexuar me shumë dashuri librin për fëmijë “Alo gjyshi? Të flas nga toka” të shkrimtares franceze Cecile Alix që vjen në shqip nga shtëpia botuese Mediaprint. E zgjodha ta lexoj një të diel të dielltë, në buzë të detit, rrethuar së largmi nga peshkatarë të heshtur dhe në mes të një qetësie që nuk do të më trazonte as leximin dhe as kujtimin e gjyshërve.

Një hyrje e shkurtër ravijëzon shumë shpejt një fëmijë çapkën e të shkujdesur, hokatar e të shoqërueshëm, të rrethuar nga dashuria e prindërve dhe e gjyshërve. Por ashtu siç ndodh në librat për fëmijë, ndodhia shfaqet  shpejt me vdekjen e gjyshit. Jeta e bukur nuk është më, siç thotë Juni, personazhi kryesor, “kur një tis resh të zeza mbuluan jetën” e tij. E pamundur të mos kthehesh pas në kohë e të mos përfshihesh emocionalisht me djaloshin 8 -vjeçar teksa shihet ndryshimi që vjen pas vdekjes dhe pështjellimi e mbizotëron ditë e natë. Një barrierë heshtjeje ngrihet vetvetiu midis prindërve dhe djalit, i cili duke mos gjetur mundësi që të flasë me të rriturit, për t’u thënë se çfarë ndien dhe çfarë dëshiron,  vendos t’i shkruajë letra gjyshit të tij. Letrat i shkruan nga toka, por në fakt nuk di çfarë adrese të vendosë, dhe çdo fjalë e të rriturve, si për shembull të ngjashmet në kësi rasti, të fjalëve: “vdiq”, “ka vdekur”, vetëm e ngatërrojnë më shumë mendjen e tij. Realiteti nga një anë dhe lidhja e fortë shpirtërore me gjyshin nga ana tjetër, përplasen te Juni, duke krijuar hera–herës kontraste ndjenjash krejt të natyrshme.  

Përpos temës prekëse, libri herë pas here mbart nota humori dhe loje të cilat i japin frymëmarrje situatës së tendosur. Rrëfimi ruan me kujdes, ngrohtësi e ndjeshmëri këndvështrimin e fëmijës për vdekjen. Faqe pas faqe kupton se si autorja i jep fuqi të plotë komunikimit i cili duket mjaft i vështirë edhe për të rriturit. Mesazhi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: flisni me fëmijët për vdekjen përpara se ajo të ndodhë, dhe sigurohuni që të flisni me ta akoma më shumë pasi të ndodhë. Natyrisht që kjo nuk është e lehtë, por librat tek e fundit e kanë një rol ndër të tjera: ato thyejnë akullin, bëhen pikënisja e një bisede të drejtpërdrejtë.

“Alo gjyshi? Të flas nga toka”, nuk është një libër që mund të shpallet me zë të lartë në takime me fëmijë sepse nuk ka  shkëlqimin e librave me aventura, humor fantazi dhe gëzim. Megjithatë libri ofron një fund të lumtur, një zgjidhje për të pranuar vdekjen dhe për të gjetur mënyrën për të jetuar me të dashurit që nuk i kemi më. Thjeshtësisht libri fiton një vlerë të veçantë në bibliotekën familjare, për lexues mbi 8 vjeç, pasi tek e fundit vdekja është pjesë e pashmangshme e qenies sonë. Si e tillë duhet pranuar haptazi në komunikimin tonë të përditshëm edhe me fëmijët.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?