Konferenca e 8-të Shkencore Ndërkombëtare u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Politike.
Një numër i konsiderueshëm punimesh dhe hulumtimesh me qëllim garantimin e demokracisë dhe drejtësisë ishin temat kryesore të konferencës ndërkohë që në hyrje të saj, fjalën përshëndetëse e morën të ftuarit Altin Dumani dhe Erinda Ballanca.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë fjalës së tij theksoi se beteja kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë madhore për institucionet e drejtësisë në vend.
“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por prania ime sot është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera, me qëllim vazhdimin e komunikimit tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci.
Reforma në drejtësi u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ai është një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo me objektet e caktuara të hetimit.
Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e shumë institucioneve”, u shpreh Altin Dumani.
Erinda Ballanca, avokate e Popullit tha se do të vazhdojnë të mbështesin SPAK, pasi synojnë të arrijnë rezultate si ato që ky institucion ka arritur aktualisht.
“Dua t’ju falënderoj për temat që do të trajtohen në këtë konferencë, të cilat fokusohen në një trekëndësh të rëndësishëm: shteti, shoqëria dhe ligji. Ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim institucionin e SPAK, pasi synojmë të arrijmë rezultate si ato që ky institucion ka arritur aktualisht. Duhet një punë jashtëzakonisht e madhe për të fituar besimin e publikut në nivelin ku ndodhemi sot, madje edhe në një nivel rajonal.
Pavarësisht se unë dhe z. Dumani kemi çështje për të cilat nuk biem dakord, dëshiroj të tërheq vëmendjen te rëndësia e reformës në drejtësi dhe rikthimi i besimit të publikut në atë që quhej “reformë në drejtësi”. Kjo reformë ka shërbyer si një mekanizëm shumë efektiv për përmirësimin e imazhit të shtetit tonë dhe, në disa raste, si një dëshmi se puna mund të bëhet siç duhet dhe se pandëshkueshmëria mund të eliminohet”, nënvizoi ajo.
Komente
