Dumani në krye të SPAK/ Shabani: Fituan qytetarët! Kalaja: Humbi drejtësia, Kim ndërhyri brutalisht! Vishaj: Problem rrjedhja e informacionit kur hetohen ministrat

19 Dhjetor 2022, 22:11| Përditesimi: 20 Dhjetor 2022, 07:28

  • Share

Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) gjatë ditës së premte, u kritikua si një proces i politizuar dhe si një përplasje mes qeverisë dhe ambasadores së SHBA, Yuri Kim. Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani tha në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, se nëse bëhej fjalë për një përplasje mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve në procesin e zgjedhjes së kreut të SPAK atëherë është në interesin e qytetarëve ‘preferenca’ e SHBA-ve.

“Mua nuk më pëlqejnë teoritë konspirative por nëse Kondili ka qenë i preferuari i qeverisë, i bie që kushdo ta ketë fituar betejën, qytetarët kanë humbur sepse ai vazhdon të jetë prokuror i SPAK.  Qeveria dhe politkikanët më të lartë në Shqipëri kanë merakun që mos të shkojnë në burg, ndaj duan që SPAK të jetë sa më i dobët. Nga ana tjetër ndërkombëtarët duan që SPAK të kryejë funksionin për të cilin u krijua. Interesi jonë, pra i qytetarëve përkon më shumë me interesin e ndërkombëtarëve. Çdo humbje e kësaj klase politike, është në avantazh për qytetarët”- u shpreh Shabani.

Kundër këtij qëndrimi ishte avokatja, Adriana Kalaja e cila u shpreh se ditën e zgjedhjes së Dumanit në krye të SPAK humbi drejtësia për faktin se sipas saj në proces ka pasur një ndërhyrje ‘brutale’ të ndërkombëtarëve dhe qeverisë. Ajo shtoi se interesi i Kim për të ndërhyrë në proces, kishte synim justifikimin e dështimit të Reformës në Drejtësi.

“Unë mendoj se atë ditë humbi drejtësia. Së pari fakti që aty u bë një betejë shumë e madhe qoftë edhe në aparencën e jashtme menjë shou të shtirur, transparencë fallco ku kandidatët bënë një autobiografi të panevojshme, duke parë një ndërhyrje brutale qoftë nga qeveria edhe e ambasadorëve. Interesi është për të justifikuar dështimin e Reformës në Drejtësi. Ajo dhe të gjithë ata që i shkojnë nga pas kanë frikë ta thonë publikisht se reforma ka publikuar ”- tha Kalaja.

Avokati Genc Gjokutaj e vlerësoi Dumanin si një një prokuror me integritet, por shtoi se nuk mund të bënte asgjë nëse nuk do kishte një frymë ekipi me të njëjtën bindje. Mes të tjerash, ai e theksoi problemin themelor të mosfunksionimit të drejtësisë në vendint tonë, që sipas tij është fakti i tejzgjatjes së ndjekjes së një procesi penal përtej afatit ligjor.

“Ne vuajmë nga mungesa e vullnetit jo nga padijenia. Këtu është një dualizëm i madh prej vitesh, politika me drejtësinë. Deri më sot ka prevaluar politika. Me procesin politik mund të ecet drejt pafundësisë pa u ndëshkuar askush, ndërsa në drejtësi ka limit, ka ndëshkim. Në Shqipëri ndodh fenomeni ku në vend që drejtësia t’i bënte vettingun politikës, ndodh e kundërta. Dumani ka integritet edhe vullnet Unë besoj se ai do të bëjë diçka, por problemi është tek ekipi, duhet grupi se nuk do hetojë vetëm.

Në krye të herës duhet të shkojmë në shkakun e mosfunksionimit të drejtësisë. Rama u ankonte se SPAK-u po i bënte namin, por deri tani kjo struktrë ka qenë avokati më i madh i qeverisë. Nuk ka 3 vite një proces penal, maksimumi 2 vite duhen. Këtu po luhet pafundësisht me afatin”-  tha mes të tjerash Gjokutaj.

Nga ana tjetër, avokati, Sajmir Vishaj kritikoi mënyrën e interpretimit të ndikimit tek prokurorët, për të cilët tha se nuk duhej të përcaktoheshin si “të preferuarit” e njërit krah apo të tjetrit, pasi kjo mund të ndikonte në demoralizimin e tyre.

“Mirë që mësuam një drejtue të ri, pro-amerikan, po ata dy të tjerët që humbën janë socialistë? Nuk duhet të rrimë me këto mendime. Ata demoralizohen kur i quan kështu, të cilët këto 4 vite kanë punuar me devotshmëri. Të tre ishin kandidatë shumë të mirë por mënyra e përzgjedhjes e sfumoi këtë gjë”-tha avokati.

Më tej ai shtoi se problemi më i madh i SPAK ishte në rrjedhjen e informacionit. Vishaj u shpreh se nuk kishte asnjë vlerë nëse hetohej një ministër dhe pas një rrjedhje informacioni ky ministër të jepte dorëheqjen dhe të hetohej si qytetar i thjeshtë.

“Drejtuesi i ri duhet të vendosë një urë bashkëpunimi me BKH-në që prej 2 vitesh po fle gjumë. Akoma nuk e kemi kuptuar rolin e BKH, janë 60 hetues që duhet të aktivizohen. Ajo që ka pasur frikë edhe ambasada është rrjedhja e informacionit, që është pika më nevralgjike e SPAK-ut. Një çështje në hetim duhet ta dijë vetëm ai që heton. Ti heton një ministër që është në detyrë dhe rrjedh informacioni. Ky jep dorëheqjen dhe largohet nga i gjithë funksionet. Qëllimi është të shkohet aty ku zyrtari është në detyrë, në momentin që është bërë qytetar i lirë, nuk ka më asnjë vlerë si hetim”-përfundoi Vishaj.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?