Sali Berisha duke pretenduar vjedhjen e votave

Opinion

Altin Ketro: Berisha, një humbje e paralajmëruar dhe një realitet i mohuar

15 Maj, 19:57| Përditesimi: 15 Maj, 20:02

  • Share

Me humbjen e rëndë të Sali Berishës në zgjedhjet e 11 majit, gjithçka duket se po merr një drejtim të njohur: ai po përgatit alibinë e re, duke akuzuar qeverinë për vjedhjen e zgjedhjeve përmes bandave kriminale.

Ndonëse nuk pamë asnjë bandë e tillë, dhe asnjë incident të theksuar, përveç sjelljeve skandaloze të kandidatëve demokratë, nuk është më çudi që Berisha, për të disatën herë, refuzon të pranojë humbjen e tij në zgjedhje.

Ndoshta karakteri i tij i vrazhdë nuk ia lejon të mposht krenarinë e rreme që mbart, duke refuzuar të përballet me humbjen e merituar e të paralajmëruar. Kjo krenari, mund ta ketë burimin nga një legjendë e lashtë, ku thuhet se: kur i humbi lopa në pyll dhe ia gjetën të tjerët, ai nuk pranonte të kthehej në shtëpi pa e çuar lopën aty ku e kishin gjetur, me qëllim që ta gjente vetë. Po ashtu, edhe sot, Berisha nuk është në gjendje të pranojë realitetin e humbjes, duke ushqyer alibi dhe mitologji të tilla.

Pavarësisht këtij realiteti, largimi i tij nga Partia Demokratike vështirë se sjell ndonjë ndryshim të thelbësor. Po të analizosh konfigurimin e grupit të ri parlamentar të PD-së, ai përbëhet kryesisht nga figura që janë besnikë ndaj Berishës dhe të tjerë, të cilët nuk kanë asnjë mundësi për t’u bërë pjesë e një opozite moderne dhe të fortë. Edhe sikur një zë i moderuar të dalë në këtë grup, ai do të hasë shumë vështirësi për të thyer këtë shtrirje besnikërie dhe për të hapur një rrugë të re për PD-në.

Për të pasur sukses në zgjedhje pa Berishën, Partia Demokratike duhet të përballet me dy kushte kryesore. E para, kryetari i ri duhet të jetë deputet, që të mund të shprehë vizionin dhe personalitetin e tij në institucionin më të lartë të shtetit, aty ku bëhet politika e madhe. E dyta, ai duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga grupi parlamentar, një grup kompakt që duhet ta njohë atë si lider dhe që nuk mund ta sfidojë duke luajtur me dy porta; hem me kryetarin e ri e hem me Berishën.

Nëse këto dy kushte plotësohen, kryetari i ri do të ketë nevojë për një cikël katërvjeçar për të ngjitur besimin e elektoratit, si dhe për të krijuar një lidhje të fortë me qytetarët. Është e dyshimtë që ai të ketë mundësinë të fitojë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërtimi i një personaliteti të besueshëm në një shtrirje kombëtare kërkon kohë. Për shembull, Edi Rama, si lider i ri opozitar në vitin 2005, nuk arriti të fitojë menjëherë, edhe pse ishte figurë e njohur politike si kryebashkiak i Tiranës. Atij iu desh një cikël tetëvjeçar si kryetar i PS-së për të bindur shqiptarët se mund t’i besohej pushteti.

Nëse Partia Socialiste nuk bën ndonjë lëvizje vetëvrasëse, që mund të sjellë humbje pushteti për të deri në vitin 2029, ajo është e sigurt edhe për mandatin e pestë.

Prandaj, kryetari i ri i PD-së, nëse plotëson kushtet e mësipërme, mund të ketë mundësinë më të mirë për të fituar zgjedhjet në vitin 2033. Por edhe atëherë, ai duhet të nisë rinovimin që tani, për të qenë i besueshëm. Çdo vonesë, duke i mbajtur peng Berisha, do të pengojë përpjekjet për rinovimin e PD-së dhe do të mbajë partinë të bllokuar. Pas kësaj, Partia Demokratike duhet të përgatitet psikologjikisht dhe emocionalisht për të qëndruar në opozitë, gjatë gjithë dekadës së katërt të shekullit XXI.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se qeveria Rama 4 do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?