Sapo përfunduan zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha dhe disa zëra të tjerë opozitarë nuk vonuan të artikulonin një justifikim të njohur tashmë: qeveria paska përdorur të ashtuquajturin “tren bullgar” për të manipuluar votat dhe për të siguruar fitoren. Një akuzë e rëndë, por sa reale është ajo?
Për të dhënë iluzionin e një mashtrimi të sofistikuar elektoral, opozita pretendon se janë zbuluar lista zgjedhësish, të cilat, për hir të së vërtetës, i disponojnë partitë pjesëmarrëse në zgjedhje bazuar në nenin 60 të ligjit nr.10019/2008. Po ashtu, është folur edhe për disa modele fletësh votimi të ngjashme me origjinalet. Në realitet, këto modele janë printuar nga vetë kandidatët për të orientuar qytetarët mbi mënyrën e re të votimit, pasi fleta e këtij viti ndryshonte ndjeshëm nga ajo e zgjedhjeve të vitit 2021.
I gjithë ky proces është një praktikë e njohur, një formë trajnimi për votuesit, të ngjashme me fushatat informuese të KQZ-së përmes mediave. Thjesht një akt orientues, jo një akt manipulimi.
Por përtej këtij faktori teknik, le të ndalemi te thelbi i akuzës: a është e mundur të realizohet “treni bullgar” siç pretendon opozita?
Le të bëjmë një analizë të thjeshtë logjike. Supozojmë një qendër votimi me 700 zgjedhës, nga të cilët votojnë 400. PS merr 220 vota, PD merr 160 dhe partitë e tjera ndajnë 20. Po sikur ato 220 vota të PS-së të jenë fryt i një skeme të mirëorganizuar? Sipas PD-së, kjo duket e thjeshtë, por në praktikë është e pamundur.
Për të funksionuar “treni bullgar”, do të nevojitej një organizim kombëtar milimetrik, jashtëzakonisht i fshehtë dhe kompleks. Do duhej të indentifikoheshin 220 persona, të kontaktohen individualisht me telefon a fizikisht, të sillen një nga një në një “zyrë sekrete” pranë qendrës së votimit, të marrin një fletë votimi të plotësuar më parë, dhe ta zëvendësojnë me një tjetër origjinale pasi të kenë votuar. Të gjithë këtë operacion duhet ta kryejnë pa u vënë re, nga ora 7:00 deri në 19:00, pa gabuar asnjë hap dhe pa asnjë incident. Mos vallë po flasim për një film hollivudian?
Po sikur në atë zyrë sekrete, të paraqiten 30 vetë njëherësh? Cili prej tyre ka përparësinë për ta marrë i pari fletën e paraplotësuar të votimit? Po nëse ndonjëri vonohet në radhë në qendrën e votimit dhe bllokon “zinxhirin”? Çfarë ndodh kur numri i pritësve nga 30 shkon në 60 apo më shumë? A jemi të sigurt se 220 njerëz do të ishin kaq të duruar, kaq të bindur, kaq të motivuar për të rrezikuar veten në një veprim antiligjor që të çon në burg?
Dhe një pyetje thelbësore: si ka mundësi që opozita, që kishte ngritur “grupet e mbrojtjes së votës” dhe patrullonte terrenin zgjedhor, nuk konstatoi asnjë individ që të kishte në xhep një fletë votimi të paraplotësuar me vulat e qendrës së votimit? A mund të fshehësh një operacion me 220 njerëz nga sytë e qindra komisionerëve, vëzhguesve, aktivistëve të partive të tjera?
Edhe nëse marrim versionin tjetër, ku “treni bullgar” është aplikuar vetëm te 50 zgjedhës, kurse 170 të tjerët kanë votuar jashtë kësaj skeme, a është e mundur të llogariten me kaq saktësi këto ndarje? Këto 50 vota të “trenit bullgar” janë identifikuar si votues të sigurt të PS-së, apo janë kategoria e të lëkundurve, madje kundërshtarëve që u bëhet presion për të votuar për PS-në? Nëse janë votues të sigurt, pse duhet përdorur një skenar i tillë? Dhe nëse janë kategoria tjetër, çfarë garancie ka që këta nuk do ta dekonspirojnë në rrjetet sociale një skenar të tillë të rrezikshëm?
Ky është absurdi logjik që e fundos vetë këtë teori konspirative. “Treni bullgar” është një alibi politike e opozitës për të shmangur përgjegjësinë e humbjes.
Nëse duan të flasin për votime të lira dhe të ndershme, le të flasin me fakte. Le të denoncojnë çdo parregullsi reale, jo të sajojnë narrativa që nuk mbajnë as logjikën më të thjeshtë.
Zgjedhjet janë një garë politike, jo një teori konspirative. Dhe kur humb, e vetmja gjë fisnike që mund të bësh është që të marrësh mbi vete përgjegjësinë e të reflektosh, jo të trillosh.
P.S. Në këtë shkrim solla një shembull të thjeshtë me një qendër votimi ku PS merr 220 vota. Por për ta vënë në rang kombëtar, Partia Socialiste mori rreth 734 mijë vota. Sipas opozitës, të gjitha këto vota paskan qenë të manipuluara, po të besohet teoria e “trenit bullgar”. Kjo është një tjetër dëshmi se sa e pabazë dhe e pamundur është kjo akuzë.
Komente
