Foto ilustruese

AMA e AKEP do të formalizojnë transmetimet TV edhe në internet

24 Tetor 2018, 07:52| Përditesimi: 24 Tetor 2018, 07:57

  • Share

Në një kohë, kur qeveria po përgatit një barrierë kundër lajmeve të rreme, nëpërmjet një pakete ligjore, e cila është ende në hartim e sipër, problem që mbetet gjithnjë i hapur, pavarësisht se i është dhënë zgjidhje me ligj, është ai i shkeljes së të drejtës së autorit për transmetimin e paautorizuar të programeve ekskluzive televizive. Një libër, një film, një CD, një dramë, një emision apo një ide, janë të gjitha pasuri, jo vetëm për atë që i krijon, por edhe për gjithë sistemin shoqëror, në të cilin duhet të respektohet pronësia intelektuale dhe e drejta e autorit. Por, ndonëse ligji për të drejtën e autorit është miratuar prej kohësh në Kuvendin e Shqipërisë, ai nuk mjafton: sfida qendron në mënyrën se si do të kontrollohet teknologjikisht. Në fakt, teknologjia aktuale dixhitale dhe interneti ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme, si për shpërndarjen e produkteve të autorëve televizivë, por po ashtu edhe për vjedhësit e tyre.

Fenomeni
Dhe kemi të bëjmë këtu me një fenomen me të vërtetë botëror. Vjedhja në web në Itali psh ka arritur në shifra të pabesueshme. Sipas raporteve zyrtare të Federatës për mbrojtjen e përmbajtjeve audiovizive dhe multimediale, janë 20 milionë ata italianë, të cilët zakonisht përdorin materiale të vjedhura nga të tretë për të parë filma dhe seri televizive në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që DVD-të pirate janë zhdukur pothuajse krejtësisht, është teknologjia e shkarkimit nga interneti (streaming) ajo që po përdoret masivisht tani.

Dhe nuk janë vetëm të rinjtë ata që përdorin teknologjinë për të vjedhur në këtë fushë. Të dhënat tregojnë se janë 51% të adoleshentëve, por edhe 39% e të rriturve, ata që nuk blejnë bileta nëpër kinema, nuk blejnë libra dhe as MP3. Në vitin 2016 vetëm në Itali janë regjistruar mijëra akte vjedhjeje, kryesisht seri televizive, që janë parë nga 22 për qind e shikuesve. 33 për qind e gjithë popullatës ka përdorur për këtë qëllim streaming-un. Kjo është llogaritur se konsiderohet si humbje ekonomike prej 686 milionë eurosh dhe 6.540 vende pune për vendin fqinjë.

Federata botërore e regjistrimeve muzikore “International Federation of the Phonographic Industry” vlerëson, nga ana e saj, se rreth 38% e personave që dëgjojnë muzikë në rrugë dixhitale, e bëjnë këtë nëpërmjet rrugëve ilegale. Forma më e përhapur e shkeljes së të drejtës së autorit është përdorimi i programeve të thjeshta online për të regjistruar muzikën nga video të YouTube-it, duke të kujtuar kopjimet që bëshin nga radiot në vitet ’80. Sipas ekspertëve, është mjaft e thjeshtë të kopjosh muzikën.

Lufta
Ky fenomen është mjaft i vështirë për t’u luftuar. Njohësit e fushës propozojnë përmirësimin e ofertës së ligjshme, duke ulur çmimet dhe duke e bërë më të aksesueshëm produktin për publikun. “Duhet të kuptojmë se nuk mjafton vetëm të veprohet duke bllokuar sajte pirate, pasi janë mbyllur rreth 1.000 të tillë vetëm në Evropë – thotë presidenti i shoqatës kinematografike amerikane “Motion Picture Association af America” Christopher J. Dodd – Por sot për sot janë vetëm 480 shërbimet e ligjshme të shpërndarjes online në gjithë botën. Janë jashtëzakonisht pak”.  

Teknologjia
Transmetimet e paautorizuara të produkteve televizive të prodhuara nga operatorë të ligjshëm e të regjistruar të sistemit audioviziv mund të kryhen nëpërmjet rrjetit IPTV të televizionit në internet, me anë të platformave OTT, që kapërcejnë linjat tradicionale të transmetimeve televizive. Me anë të këtyre linjave aktualisht mund të transmetohen produkte origjinale, por mund edhe të transmetohen materiale të vjedhura nga të tjerë.

Shqipëria
Në vendin tonë vjedhja e produkteve audiovizive është një fenomen i njohur dhe mjaft i përhapur. Këtu vidhen madje edhe transmetime 24-orëshe të rrjeteve rregullisht të regjistruara në organet shtetërore, që subjekte fantazma i shesin nëpër rrethe me linja të dedikuara. Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), më datë 30 maj 2018, organizoi një takim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kushtuar analizës së këtij fenomeni të fundit, që është konsideruar si fenomen në rritje dhe kërkon një koordinim më efikas mes institucioneve që mbikëqyrin tregun audioviziv dhe atë të komunikacionit. Çfarë konstatohet? Zhvillimet teknologjike në fushën e telekomunikimit e kanë bërë më të lehtë vjedhjen dhe transmetimin e përmbajtjeve audiovizive, si dhe kanë vështirësuar veprimtarinë e organeve përgjegjëse për konstatimin dhe eliminimin e këtij fenomeni.

Sipas burimeve nga AMA, kohët e fundit ky institucion po shqyrton mundësinë për të bashkëpunuar më ngushtë me institucione të tjera, si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, segmente të Policisë së Shtetit që merren me krimin kibernetik dhe Prokurorinë, për të goditur vjedhjen në këtë formë, duke synuar goditjen e platformave të organizuara pirate. Kjo, me sa duket, kërkon edhe ndryshim të legjislacionit, që do të merret parasysh, për të plotësuar kuadrin ligjor aktual. Po si do të veprohet me ato subjekte, të cilat veprojnë nga jashtë Shqipërisë? Këtu ende ekspertët nuk kanë një përgjigje të saktë. Eshtë koha që forca e ligjit të veprojë edhe në këtë drejtim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?