Ekipi kombëtar i të rinjve në karate mori pjesë në Ligën Botërore të Karatesë për të rinj, e cila u zhvillua në Kroaci nga 26 deri më 29 qershor. Ekipi përbëhej nga 4 sportistë të moshave 10 deri 21 vjeç, tre prej të cilëve ishin nga Tirana dhe një nga ekipi “Bijtë e Shqipes” Lushnje. Në këtë garë botërore morën pjesë 4000 sportistë nga 78 vende të ndryshme të botës.
Karateistja 14-vjeçare nga ekipi “Bijtë e Shqipes” Lushnje, Amanda Dedej, u kthye me medalje ari nga ky botëror. Në kategorinë deri në 52 kilogramë, ajo u përball me gjashtë kundërshtare, ndërsa në finale mposhti serben Neda Mariçeviç me rezultatin 4-0.
Trajneri i ekipit kombëtar të karatesë, zoti Lirim Dedej, u shpreh se ekipi kombëtar i Shqipërisë, pas shumë arritjeve në ballkaniada dhe kampionate europiane, së fundmi ka sjellë në shtëpi medaljen e artë nga botërori i Kroacisë.
Fituesja e medaljes së artë në këtë ligë, Amanda Dedej, 14 vjeçe, ka arritur shumë dhe tani synimi i saj është medalja e artë olimpike.
Komente
