Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të mos largohen nga vendi drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Nëpërmjet një postimi në facebook, ambasada britanike shkruan se për shkak të kushteve të këqija të motit, shqiptarëve të cilët tentojnë të kalojnë me gomone drejt Britanisë së Madhe, mund të rrezikojnë jetën.
“Duke u përpjekur për t'u larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar mund të humbësh edhe jetën nga kushtet e rrezikshme të motit. Mos rreziko!”- shkruhet në postimin e bërë nga ambasada britanike në Tiranë.
Debati për emgirantët e paligjshëm shqiptarë të cilët zgjedhin të shkojnë me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar ka qenë në krye të vëmendjes muajt e fundit, teksa zyrtarë të lartë britanikë kanë kërkuar që të merren masa. Së fundmi kryeministri britanik, Rishi Sunak ka nënshkruar një marrëveshje me kryeministrin shqiptar Edi Rama për kthimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Në ditët e fundit, nga Britania e Madhe janë deportuar dhjetëra emigrantë shqiptarë, mes tyre edhe persona të cilët ishin dënuar për veprimtari të paligjshme.
Britania po tenton të ndjekë një politikë të re për azilkërkuesit, duke krijuar një listë të bardhë për vendet të cilat konsiderohen të sigurta, në këtë formë kërkesat e azilkërkuesve konsiderohen të pabaza. Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe është tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’.