TIRANË- Zgjedhjet e 25 prillit janë një moment shumë i rëndësishëm për fatin e Shqipërisë, pasi janë një kriter kyç që do të vendosë për integrimin e vendit në BE, për këtë arsye ndërkombëtarët janë të angazhuar për të ndjekur nga afër ecurinë e këtij procesi. Pas Bashkimit Europian, edhe SHBA ka bërë me dije se do të jetë në terren si në procesin e votimit ashtu edhe të numërimit të votave. “Do të jemi aty derisa puna të kryhet”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
️"Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është gati të drejtohet në të mbarë Shqipërinë për të zhvilluar nesër misionin e saj të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ne do të monitorojmë si qendrat e votimit ashtu edhe ato të numërimit gjatë gjithë procesit. Ne do të jemi atje derisa puna të jetë e kryer", thuhet në njoftim.
Ky njoftim vjen një ditë para zgjedhjeve, por edhe trazirave që janë regjistruar ditëve të fundit të fushatës elektorale, ku një person u vra nga Struktura e armatosur e PD-së për mbrojtjen e votës, strukturë e paligjshme në Elbasan, apo retorikave të ashpra të palëve politike, por veçanërisht presidentit Ilir Meta. Më herët, ishte Soreca i cili solli në vëmendje se vetë ai dhe me 50 ekipe të delegacionit të BE do të jetë në krah të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.
"BE është këtu për të qendruar pranë shqipërisë. Duke e ndihmuar të realizojë ëndrrën dhe aspiratën e kaq shumë njerëzv enë Shqipëri që ti bashkohen BE. Kjo është arsyeja pse ditën e zgjedhjeve do të jem në terren me 50 ekipe të delegacionit të Be dhe shteteve anëtare për të qenë me ju në një zhvillim të drejtë transparent dhe të lirë të zgjedhjeve. Që të punojë për të gjithë demokracia ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve. Votoni të dielën dhe bëni durim derisa të dalë rezultati, ti vendos”, tha dje Soreca.