Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar një politikë të re për kufizimin e vizave, që prek jo vetëm individët e sanksionuar për trafik droge, por edhe anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e tyre të afërt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada citon Sekretarin e Shtetit Marco Rubio:
“Po shpall një politikë të re për kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059. Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në vendin tonë.”
Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka njoftuar ditën e enjte se Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë kufizime të reja vizash për “anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe në biznes” të personave që janë sanksionuar sipas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për të goditur kartelët e drogës dhe trafikimin, thuhet në media.
Deklarata e plotë e Rubios:
Kriza e fentanilit në Shtetet e Bashkuara është e pashembullt, me mbidozat që mbeten shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët e moshës 18 deri në 44 vjeç. Më shumë se 40 % e amerikanëve thuhet se njohin dikë që ka vdekur nga një mbidozë opioidesh, dhe në vitin 2024 Shtetet e Bashkuara mesatarisht patën mbi 220 vdekje nga mbidoza çdo ditë. Sot, po njoftoj një politikë të re të kufizimit të vizave sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë që do të zbatohet për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059 për Vendosjen e Sanksioneve ndaj Personave të Huaj të Përfshirë në Tregtinë Globale të Paligjshme të Drogës (EO 14059).
Veprimi i sotëm zgjeron mjetet ekzistuese, duke përfshirë sanksionet sipas EO 14059 dhe pamundësitë për viza sipas seksionit 212(a)(2)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë për trafikantët e substancave të kontrolluara. Vendosja e kufizimeve të vizave për trafikantët e drogës, anëtarët e familjes së tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit, jo vetëm që do t'i pengojë ata të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por do të shërbejë si një pengesë për vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtojnë qytetarët amerikanë.
Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar duke premtuar goditje të ashpra ndaj sigurisë kufitare dhe ndalimin e hyrjes së fentanilit në SHBA, veçanërisht në kufirin jugperëndimor me Meksikën.
Nuk është shumë e mundur që ata që trafikojnë droga në vend të kenë viza amerikane. Por vendosja e kufizimeve ndaj lidhjeve të tyre i shtohet përpjekjeve në vazhdim të qeverisë amerikane për të penguar marrëveshjet e tyre biznesore.
Kjo nismë për të kufizuar hyrjen legale të atyre që lidhen me trafikantë të njohur të drogës ka të ngjarë të ndikojë tek këta individë, por studimet kanë treguar se fentanili i paligjshëm shpesh sjellët në vend nga shtetas amerikanë.
Departamenti i Shtetit publikoi deklaratën e plotë të Rubios në faqen e tij të internetit, ku thuhet se kufizimet e vizave do të zbatohen përmes Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se si, apo cilat, viza do të kufizoheshin, por sekretari i shtetit ka marrë një rol më të rëndësishëm në zbatimin e politikave të emigracionit së bashku me Sekretaren e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem.
Departamenti i Shtetit menaxhon aplikimet për viza përmes ambasadave dhe konsullatave amerikane në të gjithë botën, me punonjës të departamentit që vendosin për rastet para se një individ të mund të udhëtojë në SHBA, thuhen në detaje për mediat.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare është përgjegjës për përcaktimin e statusit të emigracionit sapo personi të arrijë në territorin amerikan, qoftë në aeroport apo pikë kalimi kufitar. Doganat dhe Mbrojtja Kufitare (Customs and Border Protection) apo Shërbimet e Qytetarisë dhe Emigracionit (USCIS), të dyja pjesë e DHS, shqyrtojnë aplikimet brenda vendit, si për shembull ato për kartë gjelbër.
Komente
