Largimi i Xherdan Shaqiri nga Kombëtarja e Zvicrës po vazhdon të bëjë bujë të madhe duke sjellë reagime të shumta të cilat vënë në pah rëndësinë që kishte prezenca e tij në fushë për kombëtaren helvetike.
Menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian të futbollit, Shaqiri njoftoi se i ka dhënë fund aventurës së tij me Zvicrën, lajm ky që tronditi popullin zviceran, por jo vetëm, raporton KosovaPress.
Në mesin e shumë reagimeve, sot ka shkruar edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë e cila ka thënë se Shaqiri ishte një frymëzim i madh për të gjithë.
“Sot i shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt Xherdan Shaqirit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Kombëtaren e Zvicrës në futboll dhe për të qenë simbol i krenarisë zvicerane dhe kosovare. Me 125 ndeshje ndërkombëtare dhe momente të panumërta të paharrueshme, Shaqiri na ka frymëzuar të gjithëve. Karriera e tij, e shënuar nga gola mahnitës dhe një qëndrim i patrembur, ka sjellë gëzim dhe krenari të pamasë për tifozët e futbollit, veçanërisht të rinjtë që e shikojnë atë. Faleminderit, Xherdan, për të gjitha kujtimet dhe për performancën tënde të jashtëzakonshme ndër vite!”, thuhet në reagimin e ambasadës zvicerane në Kosovë. KosovaPress