Ambasadori Karl Bergner me kreun e KQZ, Celibashi

Politikë

Zgjedhjet/ Ambasada gjermane për Report Tv: Moment historik, duhet integritet! Të mos keqpërdoren burimet publike

5 Shkurt, 13:37| Përditesimi: 5 Shkurt, 14:45

  • Share

Teksa zgjedhjet po afrohen, Gjermania ka vendosur fokusin tek përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Qeveria e Berlinit ka financuar KQZ-në, me qëllim ngritjen e një platforme ku çdo institucion të deklarojë veprimtarinë e vet.

Në një reagim për Report TV, Ambasada Gjermane përsërit apelin për integritet. Ambasada nënvizon shqetësimet mbi keqpërdorimin e burimeve publike dhe private në proceset zgjedhore të kaluara.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë një moment historik i rëndësishëm, një mundësi për të gjitha forcat politike për të treguar pjekurinë, përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe integritetit që pritet në një vend që aspiron të anëtarësohet në BE në pak vite.

Keqpërdorimi i burimeve private dhe publike ishte një çështje e përsëritur gjatë zgjedhjeve të kaluara. Gjermania është krenare që financon projektin e Këshillit të Evropës për “Forcimin e Integritetit Zgjedhor”. Ndër aktivitete të tjera të rëndësishme, ajo ka mbështetur KQZ-në në ngritjen e platformës për monitorimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve publike, e cila krijon transparencë dhe lejon KQZ-në të ushtrojë mbikëqyrjen e saj mbi aktivitetet publike në kontekstin e zgjedhjeve.

Gjermania shpreson për një fushatë të drejtë, me debate të fokusuara në çështjet e prekshme që prekin qytetarët shqiptarë”, thuhet në reagimin për Report Tv.

Edhe pse KQZ ka nisur që më 11 janar monitorimin e qeverisë dhe bashkive, në këtë institucion vijojnë debatet për formën se si socialistët përmes qeverisjes po përpiqen të përfitojnë avantazhe për 11 majin.

Pavarësisht raportimeve apo denoncimeve të deritanishme, ku nuk kanë munguar bashkitë që marrin pjesë takime elektorale apo shkollat që shpërndajnë në rrjetet sociale mesazhe propagandistike, KQZ deri më tani nuk ka dënuar asnjë funksionar.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?