Stop protestave dhe palët të ulen në dialog! Kjo është thirrja që bën ambasada italiane, vetëm një orë përpara nisjes së protestës së opozitës së bashkuar. Aktet e dhunës në protestën e 11 majit, janë të papranueshme dhe Ambasada italiane u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të garantojnë që protesta e ardhshme të jetë paqësore. Gjithashtu, ambasadori Alberto Cutillo ka dënuar kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të cilat i ka cilësuar si të papranueshme në demokraci.
"E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore.
Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike. Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje.
Ambasada e Italisë dënon pa rezervë kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të papranueshme në një demokraci. Së fundmi, Ambasada italiane u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë", shkruan ambasada italiane.
Lajmi kryesor:
Paralajmërimi/ Ambasada e SHBA: Basha e Kryemadhi të dënojnë dhunën! Uluni në dialog, zgjidhni krizën!
B.K./ReportTv.al