Alastair King-Smith e Edi Rama

Ambasadori britanik takim lamtumire me kryeministrin Rama: Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë

24 Korrik, 11:32| Përditesimi: 24 Korrik, 11:42

  • Share

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith pati një takim lamtumire me kryeministrin Edi Rama me rastin e mbarimit të mandatit të tij si ambasador në vendin tonë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasadori u shpreh se takimi ishte si gjithmonë shumë pozitiv dhe konstruktiv.

“Që kur erdha, tre vjet më parë, Britania e Madhe dhe Shqipëria kanë krijuar një lidhje tepër të fortë dhe miqësi të vërtetë.  I përcolla përshëndetjet e Kryeministrit dhe theksova se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe të zgjerojë partneritetin tonë në drejtësi, energji, infrastrukturë, emigracion, mbrojtje, arsim dhe kulturë”, theksoi ai.

Ambasadori nënvizoi se në takim u diskutua për rezultatet e Komunitetit Politik Evropian të javës së kaluar në Britaninë e Madhe, të cilin Shqipëria do ta presë në 2025-n.

“Ne ndajmë të njëjtin vizion për mënyrën sesi bashkëpunimi ynë dypalësh prodhon përfitime reale për njerëzit e të dy vendeve dhe për të gjithë Evropën. Është e rëndësishme që trajektorja pozitive për përgjegjshmërinë, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri është e qëndrueshme si pjesë e kësaj”, u shpreh ai.

“Ne kemi parë ndikimin që kemi kur kemi bashkuar përpjekjet tona të përbashkëta, duke përfshirë mënyrën se si po mbështesim të rinjtë e talentuar në veri të Shqipërisë dhe duke ndihmuar në sjelljen e ndryshimeve pozitive që të gjithë shqiptarët duan të shohin”, shkruan ambasadori britanik, King-Smith.

Me mbarimin e mandatit të King Smith në shtator do të marrë detyrën ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abbott.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?