Ambasadori Hoxha në OKB: Prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor në Këshillin e Sigurimit janë llogaridhënia, paqja, gratë dhe siguria

1 Qershor 2022, 18:46| Përditesimi: 1 Qershor 2022, 20:09

  • Share

Për një muaj, Shqipëria do të drejtojë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB, ndërsa ambasadori Ferit Hoxha ka prezantuar sot prioritetet tona, duke nisur nga forcimi i llogaridhënies, avancimi i agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.

Qershori do të jetë një muaj me axhendë të ngjeshur, tha Hoxha, ndërsa Shqipëria do të drejtojë disa debate. Do të jetë kryeministri Edi Rama që do ta nisë nesër me debatin mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshill.

Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë. Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda. Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë", tha Hoxha. 

Ambasadori u shpreh se ngjarja e dytë shënjuese për vendin tonë do të jetë debati për ‘Gratë, paqen dhe Sigurinë që do të mbahet më 15 qershor dhe do të drejtohet nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.Sakaq do të mbahet edhe një debat për metodat e punës së këshillit. 

"Ngjarja jonë e dytë shënjuese do të mbahet më 15 qershor. Do të jetë një Debat i Hapur i nivelit të lartë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me titull: “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”. Debati i hapur do të jetë kryesuar nga Ministri ynë për Evropën dhe Punët e Jashtme. (...) Ne besojmë se një debat i hapur dhe i thelluar për metodat e punës së këshillit është në kohë dhe shumë i nevojshëm. Ne presim një shkëmbim të mirë mbi mësimet e nxjerra dhe kapacitetin e Këshillit të Sigurimit për t'iu përshtatur ndryshimeve në përmbushjen e mandatit të tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Hoxha tha se Presidenca do të mbajë një konferencë në nivel të ngritur mbi bashkëpunimin ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Nisur nga situata e trazuar për shkak të luftës në Ukrainë, ambasadori tha se nevojitet për një bashkëpunim më të fortë OKB-BE, veçanërisht në fushën politike, humanitare dhe njerëzore. Kjo konferencë do të drejtohet nga Xhaçka, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Më 6 qershor do të mblidhet Këshilli i Sigurimit për të diskutuar për luftën në Ukarinë, ndërsa më 20 dhe 29 qershor do të organizohen, në aspektin humanitar dhe atë politik.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?