Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se vendi i tij ka ulur bashkëpunimin me Kosovën në disa sektorë. Në një intervistë për ‘Rubikon’ u shpreh se uron që të ketë sa më shpejt zgjidhje për situatën në veri.
Sipas ambasadorit gjerman, për të ndalur masat ndaj Kosovës, të gjithë duhet të punojnë për të ecur para por kjo gjë thotë se nuk po ndodh.
“Përsëri, unë shpresoj se ne do të arrijmë një zgjidhje së shpejti dhe e dini… Po, thash gjithashtu dhe po flas në emër të vendit tim se ne fatkeqësisht kemi bashkëpunim të zvogëluar në disa sektorë, në sektorë që lidhen me sigurinë deri tani, dhe normalisht nuk ulem këtu për të diskutuar këtë, më me qejf do të kisha diskutuar mbi marrëdhëniet tona, zhvillimin ekonomik, por nëse nuk ka progres këto masa janë duke u implementuar dhe e dini dua t’i ndaloj ato ashtu si BE-ja, ato janë të kthyeshme menjëherë por na duhen veprime nga të gjithë partnerët, veçanërisht nga Kosova për të ecur përpara dhe deri tani nuk kanë ndodhur”, deklaroi Rohde.
Situata në veri të Kosovës është e tensionuar prej më shumë se 1 muaji. Njw ditw mw parw, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se unioni ka gati sanksionet edhe për Serbinë, por vendimin e marrin vendet anëtare për të dyja shtetet. Lajçak tha se ka dakordësi me Kosovën për depërshkallëzimin e situatës, por ende do të ketë diskutime.