Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Ambasadori Hovenier: SHBA-ja pret nga Kosova e Serbia ta marrin seriozisht dialogun

25 Shtator, 13:28| Përditesimi: 25 Shtator, 15:38

  • Share

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, pasi ka pasur ngecje në vitin e fundit.

Duke folur në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë, Hovenier tha se të dyja palët duhet patjetër t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dala nga ky dialog, i cili nisi më 2011 në Bruksel.

“Njohja reciproke mbetet synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është mëse e qartë. Ne presim të dyja palët të veprojnë plotësisht në përputhje me të gjitha detyrimet e dala nga dialogu dhe presim që ato ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por BE-ja ka thënë se ato nuk kanë bërë hapa për ta zbatuar atë.

Hovenier tha se ajo që nevojitet tani është “serioziteti dhe qëllimi në këtë dialog”.

“Mund ta quani rifillim nga e para, mund ta quani ripërkushtim, mund ta quani qasje e re, mund ta quani qasje më energjetike. Ne kemi nevojë për të, dhe kemi nevojë që ta bëjnë të dyja palët”, shtoi ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë udhëtuan në Bruksel më herët këtë muaj, por ata nuk mbajtën takim të përbashkët, për shkak të mospajtimeve rreth temave që do të duhej t’i shtjellonin.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, për shkak të mospajtimeve të dukshme.

Kosova e akuzon palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e pajtimit.

Hovenier tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për përfitime të përbashkëta nga dialogu, dhe jo të kërkojnë të jenë fituesi i vetëm.

“Ky është proces, duhet të punohet për të arritur përfitime reciproke. Shtetet e Bashkuara duan që kjo të ndodhë pas asnjë kompromis dhe kjo është thelbësore për Kosovën. Nuk do të ishte fitore për Kosovën nëse preket sovraniteti , demokracia dhe integriteti i saj, por nuk do të ishte fitore për të as nëse minoritetet nuk respektohen”, tha Hovenier.

Ai tha se habitet nga disa “sugjerime të padeklaruara” në Kosovë se ka rrugë tjetër përveç dialogut.

“Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë, do ta përdorin shkopin magjik dhe të bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe BE-së. Bota nuk funksionin kështu”, përfundoi ai.

Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë varet kryekëput nga zbatimi i plotë i detyrimeve që ato i kanë marrë në dialogun e Brukselit./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?