Ura e Ibrit në Mitrovicë

Kurti ngul këmbë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, Perëndimi kundër! Osmani: Nuk do pyesim Vuçiçin

2 Gusht, 11:25| Përditesimi: 2 Gusht, 13:47

  • Share

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Reagimi i Hovenier vjen pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha Hovenier për gazetarët pas takimit.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s. Kurti në takim u paraqiti përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër.

“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, plani i Qeverisë së Kurtit parasheh “testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër. Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një reagim ditën e sotme tha se "një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë".

"Vuçiç nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]", tha Osmani.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për kalimin e mjeteve. Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Nga sektori civil në Kosovë thonë se faktor kyç në hapjen e urës është, në fakt, KFOR-i, sepse ai duhet t’i lëvizë ushtarët e tij, gjegjësisht ta japë pëlqimin.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiç nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?