GJIROKASTER- Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Ambasadori italian, Fabricio Bucci i bën thirrje partive politike të bëjnë një fushatë me programe të qarta elektorale. Në prag të largimit të tij pasi i mbaron mandati 5 vjeçar, ambasadori u nderua në Gjirokastër me titullin 'Qytetar Nderi".
Në një prononcim për median ambasadori e quajti situatën politike në Shqipëri shumë konfliktuale.
"Për fat të keq situata politike në Shqipëri vijon të jetë shumë konfliktuale do jenë zgjedhjet pas pak muajsh. Unë shpresoj të jetë një fushatë e bazuar në fakte e me programe, sepse qytetarët duhet që të kuptojnë se kush është programi i partive politike. Të kuptojnë se çfarë ndërmend kanë partitë të bëjnë për të përmirësuar jetesën e tyre. Zgjedhësit do të gjykojnë mbi bazën e programeve që do të bëjnë. Uroj që debati politik mes të gjithë forcave politike të jetë kjo. Shqiptarët janë të interesuar të kuptojnë cfarë do të bëjë politika për këto" tha ai.
Qeveri teknike?
Ambasadori italian u pyet nga Report Tv dhe për kërkesën e Partisë Demokratike për qeverinë teknike. Zoti Bucci tha se i takon politikës të vendose por nënvizoi se partitë duhet të punojnë bashkë për të çuar Shqipërinë drejt BE-së.
"Nuk komentojmë ide apo programe specifike. Respektojmë dinamikat politikës së brendshme. I takon politikës shqiptare të vendosë. Ajo që është e rëndësishme është se Italia do të mbetet një partner themelor i Shqipërisë. Raporti ynë është kaq special që do të ngelet në vite. Ne do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë pavarësisht nga qeveritë. Ka shumë objektiva të rëndësishme. Hyrja në BE. Kjo është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Dhe për tema që kanë të bëjnë me jetën e shqiptarëve, të gjithë partitë duhet të punojnë së bashku sepse është interesi i të gjithë shqiptarëve"
Ceremonia e dorëzimit të titullit është organizuar në ambjentet e banesës Kadare nën pjesmarrjen e drejtuesve më të lartë vendor.
"Për kontributin e dhënë në forcimin e lidhjeve historike dhe të bashkëpunimit aktual mes Italisë dhe Gjirokastrës. Mirënjohje për vëmendjen dhe iniciativat e tij me ndikim në ngritjen në një nivel edhe më të lartë të marrëdhënieve, falë realizimit me sukses të programeve dhe projekteve në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe edukimit", ka qenë motivacioni me të cilin është nderuar ambasadori italian.
Ky i fundit ka çmuar vlerësimin që i është bërë nga Bashkia e Gjirokastrës duke u shprehur se do të rikthehet jo si ambasador tashmë i emëruar në Gjermani, por si një qytetar i thjeshtë.
‘Jam ndier si në shtëpinë time në Gjirokastër, pas 5 vitesh mbarova mandatin tim por Shqipëria do të ngelet gjithmonë në zemrën. Do të kthehem në Shqipëri, jo si ambasador por qytetar nderi i Gjirokastrës.
Pesë vjet si e keni gjetur dhe si e po e lini?
"Unë kam ardhur pak pas shpërthimit të Covid, kalova të gjithë periudhën e Covid dhe pas Covid. Ka qenë një periudhë që ne kemi bërë shumë për marrëdhëniet Itali-Shqipëri. Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve në Shqipëri janë italiane. Italianët janë grupi më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri dhe marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Italisë janë forcuar akoma edhe më shumë’, tha ai.
Kryebashkiaku gjirokastrit Flamur Golemi ka vlerësuar kontributin e Bucit në këto katër vite të qëndrimit të tij në Shqipëri dhe sidomos kontributin që ka dhënë për Gjirokastrën.