Ambasadorja e BE thirrje SPAK: Vendimet e marra s’duhet të kenë dyshime, garantoni rezultate të larta si në BE

19 Korrik 2023, 12:37| Përditesimi: 19 Korrik 2023, 20:20

  • Share

Ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë në vendin tonë që të japë rezultate te larta njëjtë si në standardet e BE-së. Hohmann thotë se vendimet e marra nga sistemi i drejtësisë nuk duhet të kenë dyshime apo pikëpyetje, ndërsa theksoi se SPAK deri më tani ka dhënë rezultate.

“SPAK këtë vit ka dhënë rezultate, shoh raportet, një hetim tjetër. Kjo është e rëndësishme. Duhet të bindni qytetarët. Atyre që kanë ndikim tek gjyqësori, të garantojnë që të japë rezultatet më të larta të BE dhe mos të ketë dyshime apo pikëpyetje. Kjo është më e rëndësishmja. E di që Kuvendi ka një rol për të luajtur në këtë drejtim. Mbështetja për gjyqësorin, mbështetja e duhur, për pajisjet, personelin”, tha ajo.

Ambasadorja thotë se duhet më shumë mbështetje për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar se KE ka gati një tjetër paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Brenda BE ne kemi fonde strukturore për vendet e BE. Von der Leyen ka propozuar paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik. Kjo është një shtytje që duhet t’i japim. Kjo mbështetje lidhet me kushte sepse nëse t’i do të marrësh fonde të BE-së duhet të plotësosh disa kushte", tha ambasadorja. 

Në Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian po diskutohet për procesin screening, ku nesër pritet të publikohet raporti dhe në muajin dhjetor pritet miratimi nga Këshilli Europian.

Ora 15:11
Fondet e BE? Ambasadorja: S'ka drekë falas, duhet të plotësoni kushtet!

1689763405_integrimi.png

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, nga takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), u shpreh e prerë se nëse Shqipëria do të marrë fondet nga Bashkimi Evropian, duhet të plotësojë disa kushte.

“Nuk ka drekë falas, e për rrjedhojë nuk ka fonde falas. Nëse Shqipëria do të marrë fondet nga BE, duhet të plotësojë kushtet. Megjithatë ne jemi në rrugën e duhur, por kemi ende shumë punë për të bërë. E rëndësishme është që ju nuk jeni vetëm.  Ndonjëherë duket sikur do kaloni majin, Dajtin, por nuk jeni vetëm, keni njerëz përkrahë. BE e ka besimin që ju do ia dilni. Shqipëria i ka kapacitetet për ta bërë këtë”, u shpreh ambasadorja Hohmann.

Ora 13:50
Ministrja Xhaçka: Anëtarësimi në BE është objektivi ynë kombëtar, s’do rreshtim kurrë së punuari

 

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, se Shqipëria ka përparuar në procesin për rugëtimin e europian, por ka ende shumë detyra për të plotësuar. Ajo tha se integrimi i Shqipërisë në BE është prioritet kombëtar dhe s’do reshtin kurrë së punuari derisa ta arrijnë këtë qëllim.

“Është kënaqësi të marr fjalën në këtë takim, në vijim të fjalëve të ngrohta dhe vlerësimeve pozive për procesin tonë të integrimit evropian. Shqipëria po përjeton një rienergjizim të procesit të integrimit dhe një vëmendje të re të institucioneve evropiane, e shoqëruar me arritje të qenësishme, të cilat janë të prekshme për të gjithë. Ne e përshëndesim angazhimin e BE-së me një qasje të re ndaj rajonit tonë dhe avancimit drejt anëtarësimit në BE. Është kuptuar se procesi ka nevojë të përshpejtohet për të fituar kohën e humbur, ka energji të reja, prani të shtuar, dhe një qasje gjithmonë e më praktike në marrjen e përfitimeve të anëtarësimit në BE, shumë më përpara anëtarësimit, në politika e programe sektoriale, sigurisht duke arritur standartet e kërkuara.

Jam krenare të vë në dukje se institucionet e BE-së kanë vlerësuar e vlerësojnë seriozitetin dhe përkushtimin tonë për procesin dhe linjëzimin e plotë me vlerat dhe parimet e BE në politikën tonë të brendshme e të jashtme, në rajon e ndërkombëtarisht. Procesi i anëtarësimit në BE është projekt i përbashkët i shoqërisë sonë ku, si askund tjetër, janë të angazhuar të gjithë aktorët e faktorët politikë e shoqërorë. Pra për ne, procesi i integrimit është më shumë se një objektiv institucional. Ai është një objektiv kombëtar, për arritjen e së cilit ne nuk do të rreshtim së punuari.

Ecuria njëvjecare e Shqipërisë, që nga hapja e negociatave për anëtarësimin në BE, është më shumë se e kënaqshme. Procesi screening po vazhdon dhe kemi marrë vlerësime pozitive për përgatitjen dhe angazhimin e delegacioneve tona për të marrë përsipër detyrimet që sjell procesi i negociatave. Jemi në pritje për organizimin e konferencës së radhës ndërqeveritare për hapjen e grupimit të kapitujve themelorë të negocimit, pas miratimit nga Këshilli të Raportit Screening të Komisionit, me synimin që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti. Jemi bërë pjesë e paketës së mbështetjes financiare të BE, kryesisht për mbulimin e nevojave në kuadër të krizës energjitike të ardhur si pasojë e agresionit rus ndaj Ukrainës. Po zbatojmë Planin Ekonomik e të Investimeve të Komisionit për Ballkanin Perëndimor, me projekte strategjike në fusha prioritare si energjia, mjedisi, klima. Jemi pjesë e diskutimeve me Komisionin për të jetësuar projektin e Paketës së Rritjes Ekonomike që shpalli Presidentja e Komisionit Evropian.

Avancimi me procesin e anëtarësimit është me rëndësi jetike për vendin tonë sepse për anëtarësimin në BE jemi të vendosur në unitet si komb e shoqeri, sepse anëtarësimi është një faktor përcaktues në suksesin e vendit përmes reformave të gjithanshme e në gjitha fushat,  sepse është rruga e vetme që kanë zgjedhur shqiptarët,  sepse përmes saj sigurojmë zhvillimin dhe konsolidojmë partneritetin me aleatët tanë progresistë perëndimorë,  sepse është rruga më e mirë për të qenë larg influencave të aktorëve të tjerë, që kërkojnë të gjejnë hapësira për rritjen e ndikimit të tyre në rajon. sepse kjo rrugë na mbron edhe nga pasiguritë e sfidat e kohës, të cilat janë shtuar dhe intensifikuar në disa drejtime, dhe të cilat Shqipëria nuk mund t’i përballojë e vetme.

Në këtë kuadër, ne mirëpresim faktin që vendet anëtare të BE dhe institucionet e saj po e trajtojnë zgjerimin si nevojë strategjike. Shqipëria do të vijojë të mbetet plotësisht e angazhuar me Bashkimin Evropian. Samiti BE-Ballkani Perëndimor i Tiranës, i organizuar për herë të parë në një vend të rajonit, është një arritje që shënon interesin strategjik të rajonit, por edhe një njohje të rolit proaktiv të Shqipërisë. Në mbyllje të kësaj fjale përshëndetëse, nuk mund të le pa theksuar mirënjohjen dhe vlerësimin e vecantë që kam e kemi për bashkëpunimin tonë të suksesshëm me Ambasadoren e nderuar Hofmann.  Ajo ka qenë bashkëudhëtare e procesit pozitiv të Shqipërisë me BE-në gjatë misionit të saj, por edhe mbështetëse e përkushtuar e këtij procesi. Me zyrën e saj ne kemi koordinuar projektet e ndihmat e BE-së në shumë sektorë të vendit.

Diplomacia është një profesion stafete në shërbim. Për këtë arsye jam e bindur se Ambasadorja Hohmann do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj me të njëjtin përkushtim, kudo që të jetë. Ju uroj shumë suksese, Zonja Ambasadore, në misionin tuaj të ri diplomatik dhe shpresoj që edhe pasardhësi juaj në këtë detyrë, në Tiranë, do të vijojë me të njëjtin përkushtim, sepse  po i lini një axhendë të ngjeshur për procesin e anëtarësimit të vendit tonë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ndergjegja: 19/07/2023 12:50

    Kjo ambasadorja duhet ti bej thirrje SPAK-ut qe te hetoj per vjedhjen e granteve qe jep BE per bujqesine dhe fermeret shqiptare,mbasi prej gati nje jave keto granted jane pezulluar nga BE. Dhe nuk jane pak por plot 140 million € (euro) deri me 2027,pra per kater vjet. Qeverria e korrupsionit duhet hetuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?