Ambasadorja Elissa Golberg udhëhoqi sot delegacionin kanadez në Paradën e Krenarisë në Tiranë, duke marshuar krah mbështetësve të të drejtave të komunitetit LGBTQ në Shqipëri.
Pjesëmarrja e Ambasadës thekson përkushtimin e palëkundur të Kanadasë për të promovuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.
“Në Kanada, vlerësojmë diversitetin dhe gjithpërfshirjen”, tha Ambasadorja Golberg. “Jemi të vendosur të eliminojmë diskriminimin dhe të mbrojmë barazinë. Përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut shkon përtej kufijve tanë dhe jemi krenarë që bashkëpunojmë me Shqipërinë në arenën ndërkombëtare—përfshirë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut—si dhe në nivel kombëtar, ndërsa ajo vijon të forcojë respektin për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen sociale”, vijohet më tej.
Kanadaja në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile shqiptare, mbështet nisma që synojnë forcimin e kuadrit ligjor për të drejtat e njeriut, qeverisjen demokratike, promovimin e barazinë gjinore, pjesëmarrjen e grave, të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe promovimin e një kulture respekti përmes edukimit mbi të drejtat e njeriut.
Në vitin 2024, Kanadaja mbështeti edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA) dhe për herë të parë, të bashkëpunojë me Maratonën e Filmit Queer në Tiranë. Këto partneritete ofruan mundësinë për të prezantuar filma të prodhimit kanadez që theksojnë diversitetin dhe ndihmojnë në zgjerimin e kuptimit për identitetet e ndryshme.
“Të drejtat e njeriut janë themeli i paqes dhe sigurisë”, sikurse theksoi së fundmi Kryeministri ynë i sapozgjedhur, Mark Carney, forca e Kanadasë buron nga fakti që njerëzit mund të jenë vetvetja dhe të duan kë të duan. Duke mbrojtur komunitetet e margjinalizuara dhe duke promovuar gjithpërfshirjen, Kanadaja mund të ndihmojë në ndërtimin e një bote ku të gjithë mund të jetojnë me krenari dhe dinjitet”, përfundoi Ambassadorja Golberg.
Në Tiranë u organizua sot (24 maj) parada e komunitetit LGBT+. Kjo paradë bëhet në vazhdimësi të aktiviteteve, ku pjestarë të komunitetit kërkojnë të drejta të barabarta, mos të diskriminohen dhe bullizohen. I pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, i cili tha se nuk duhet që të ketë diskriminim ndaj këtij komuniteti.
Komente
