Ekonomi

Hec-i i Skavicës, Kim: Më shumë investime në veri! Mirëpres më shumë projekte mes Shqipërisë dhe SHBA

2 Tetor 2021, 12:49| Përditesimi: 2 Tetor 2021, 14:26

  • Share

Diplomatja amerikane Yuri Kim, e cila bashkë me ministren Belinda Balluku inspektuan zonën ku do të ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës tha se që kur ka ardhur në Shqipëri ka bërë të qartë prioritetet që SHBA ka për vendin tonë; demokracia, mbrojtja dhe biznesi.

"Është e mrekullueshme që jam me ju sot pasi do të shënojmë një çast me të vërtetë të veçantë për Shqipërinë, për lidhjet tona të biznesit dhe për të ardhmen e energjsë në Evropë. Sa rrugë të gjatë kemi bërë në këtë periudhë një-vjeçare! Gati 12 muaj më parë, më 3 tetor 2020, Nënsekretari i atëhershëm për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin Keith Krach vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ishte një shenjë e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për të thelluar marrëdhënie ekonomike midis dy vendeve tona, çka është gjithashtu një nga tri prioritetet e mia si Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Po atë ditë, Ministrja Balluku nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me Bechtel për projektin e Skavicës. Dhe ja ku jemi një vit më pas! E sotmja është një ditë historike në këtë marrëdhënie me fillimin e projektit për hidrocentralin e Skavicës, midis Qeverisë së Shqipërisë dhe një prej kompanive më të mëdha amerikane të infrastrukturës, Bechtel. Skavica ka qenë një ëndërr në vend, për dekada të tëra, dhe sot është një nga gurët më të rëndësishëm kilometrikë që më në fund po e shohim të bëhet realitet.

Projekti i përfunduar do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin energjitik të Shqipërisë, një vend që tashmë mburret me një nga ndërthurjet më të gjelbra të prodhimit të energjisë elektrike në botë. Në fakt, sapo kam qenë në një konferencë ndërkombëtare të energjitikës dhe fola për rolin emocionues që Shqipëria po luan në sektorin e energjisë. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit. Është një nder të jem këtu me Bechtel për të parë nisjen e punës në Skavicë. Ju përgëzoj që të gjithëve dhe mirëpres më shumë projekte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara", tha Kim.

Aktualisht po bëhet studimi gjeologjik për Skavicën dhe po shikohen detajet teknike se ku do të vendoset diga e HEC-it.

“Kjo fazë shkon në 16 muaj për të gjetur mënyrën e financimit të kësaj vepre, dhe shkon në 18 muaj për të hedhur gurët e parë”, u shpreh Drejtori i KESH Ergys Verdho.

“Në këto momente jemi në procesin e kryerjes së studimeve, për të përcaktuar se ku do të jetë me saktësi vendndodhja e digës”, tha Balluku.

Ministrja Balluku ka shpjeguar edhe një herë rëndësinë që do të ketë kjo vepër energjetike që do të ndërtohet nga kompania amerikane Bechtel.

“Shqipëria prej kohësh po mundohet që të rrisë kapacitetet e prodhimit vendas, duke krijuar kështu një mundësi më të madhe të mbulimit të nevojave të tregut dhe duke e kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë të rinovueshme “ deklaroi Balluku.

Përfundimi i HEC përveç se do të rrisë prodhimin e energjisë në vend, dhe do të shmang përmbytjet në nën Shkodër

“Me përfundimin e këtij hidrocentrali do të nisë një epokë e re për zonën e Kukësit dhe Dibrës mund të zhvillohen nga ana turistike për shkak të infrastrukturës që do të ndërtohet në ndihmë të hidrocentralit”, pohoi ministrja.

Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës daton 50 vite më parë dhe është pjesë e kaskadës së Drinit.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Niko: 02/10/2021 13:45

    Tashi mbas shume rolesh dhe qokash, ambasadorja na ze vendin e ministres se infrastruktures dhe na flet per perkushtimin e SHBA dhe investimet ne shqiperi. Nese do i hedhim nje sy statistikave te dhomes se tregetise ne lidhje me investimet e huaja ne shqiperi, cuditerisht bisneset amerikane pothuajse nuk egzistojne. Pra kur do vij dita qe tdali nji politikan apo dikush nga shoqeria civile dhe ti kujtoje ambasadores se shqiperia nuk eshte shtet i SHBA-ve, dhe zonja KIM eshte thjesht ambasadore dhe asgje me shume

    Përgjigju
  • Tasho: 02/10/2021 12:07

    Llafe, propogande, mashtrime. Zot i.madh. Skavicen kemi qysh ne 80 qe e degjojme per hidrocentral. Do behet nje dige, ca turbina e tutje matane. Ca na cani menderen me llafe kot.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?