Ruth Huber

Politikë

Ambasadorja e Zvicrës nga Pogradeci: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, nuk ka reduktime në ndihmën për vendin

27 Qershor, 12:40| Përditesimi: 27 Qershor, 12:44

  • Share

Nga fshati turistik i Linit, ku po zhvillohet një aktivitet në përmbyllje të fazës së parë të gërmimeve në sitin arkeologjik të Buqezës, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, dha një mesazh të qartë për vijimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë, si dhe vlerësoi bashkëpunimin shkencor në fushën e arkeologjisë.

"Për ne si ambasadë e Zvicrës në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i ekspertëve të arkeologjisë nga universiteti i Bern me arkeologë të Shqipërisë, me një bashkëpunim që po zhvillohet tashmë prej disa vitesh. Kanë bërë shumë zbulime të rëndësishme për historinë e vjetër të këtij liqeni të vjetër të Ohrit në Pogradec. Për ne është shumë mirë që shohim këtë lloj bashkëpunimi mes ekspertëve, me trajnime të përbashkëta dhe shkëmbim njohurish, që tregon se ka një potencial të madh turizmi. Unë jam shumë e lumtur që jam këtu në Lin”, tha Huber.

Teksa komentoi lajmet në lidhje për ndërprerjen e financimeve zvicerane në bujqësi, ambasadorja theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkurtim të ndihmës, por për përmbylljen e një projekti afatgjatë.

"Pikë së pari dua të them se aktiviteti këtu nuk është financuar nga ambasada e Zvicrës, por është përfshirë universiteti i Bern. Ambasada zvicerane në Shqipëri ka një përfshirje të madhe me programe në fusha të ndryshme me Shqipërinë. Jemi ende financues të fuqishëm për Shqipërinë, nuk ka një reduktim specifik për agrikulturën. Një nga projektet më të mëdha që kemi mbështetur për 12 vite po përmbyllet tani, është një përfundim i planifikuar i projektit 12 vjeçar për punësimin e të rinjve, turizmin, agrikulturën. Siç e shihni, projekti jonë ka qenë shumë i gjerë edhe në kohë, në mbështetjen e procesit të zhvillimit edhe institucional për kohë të gjatë", shtoi ajo.

E pyetur mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Huber tha se Zvicra do të vijojë të mbështesë vendin tonë për tu anëtarësuar në BE.

"Zvicra nuk është anëtare e BE,  por shohim që integrimi i Shqipërisë në Europë është një prioritet i qartë i qeverisë shqiptare. Me programin tonë për zhvillim ne mbështesim integrimin në BE. Shpresojmë që në fusha të ndryshme që ne mbështesim për zhvillimin e mëtejshëm, kontribuojmë që Shqipëria të arrijë standartet e kërkuara dhe ato që duhen për integrimin në BE. Duam të forcojmë institucionet e ndryshme të shtetit shqiptar dhe shohim një progres shumë të shpejtë", tha ndër të tjera Huber.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?