KORÇË- Ambasadorja greke në Shqipëri, Konstatina Kamitsi, nga Korça ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqi po punojnë për të përparuar procedurat me mënyrën që parashikohet nga legjislacioni shqiptar, që të vendosen disa çështje, për çështjen e ndarjes së detit, në gjykatën e Hagës.
‘Pardje janë takuar të dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë dhe të dy kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar sa më shpejt të jetë e mundur, që do të thotë të përparojë procedura me mënyrën që parashikohet nga legjislacioni shqiptar, që të vendosen disa çështje për çështjen e ndarjes së detit, të kufijve detarë në gjykatën e Hagës.’- tha Kamitsi.
E pyetur në lidhje me fluksin e emigrantëve në pikat kufitare për festat e fundvitit, dhe punën e reduktuar në doganat greke, duke shkaktuar radhë tek qytetarët, Kamitsi tha se kjo çështje do të shihet me përparësi.
‘Miqësia është diçka që dihet midis dy shteteve dhe për atë punojmë edhe unë edhe nga Greqia . Punojmë për funksionimin sa më të mirë të punës në dogana dhe shpresoj që çdo gjë do ecë në hapat e duhur. Faleminderit që më informoni do e shohim me doganat cili është problemi për këtë çështje, dhe unë shpresoj që miqtë tanë shqiptarë mos kenë probleme me doganën. Do e shohim me përparësi.’- tha Kamitsi.
Diplomatja greke u pyet edhe për anulimin e vizitës së kryeministrit grek në jug të vendit pak ditë më parë.
‘Jo nuk kam asnjë koment premtoj që do të vijë shumë shpejt brenda këtij viti bashkë me kryeministrin shqiptar.’- u shpreh diplomatja greke.
Një takim zyrtar të zhvilluar pak ditë më parë mes ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe homologut të saj grek në Nikos Dendias, ky i fundit i ka kërkuar ministres Xhaçka, të shqyrtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do t'i referojë përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Në 20 tetor 2020, Shqipëria dhe Greqia morën vendimin për ta dërguar në Hagë, çështjen e detit, mirëpo ku kanë kaluar pothuajse 2 vjet, kjo ende nuk ka ndodhur. Megjithatë, asnjë takim në nivel teknik nuk ka ndodhur për të çuar më tej marrëveshjen.
Kujtojmë se në një intervistë pas vizitës në Tiranë, Dendias pati deklaruar se për të çuar çështjen e ndarjes së detit, Greqia dhe Shqipëria do të presin ikjen e Presidentit ilir Meta. Kryediplomati grek u shpreh se Meta ende nuk ka dhënë autorizim për këtë çështje. Kjo solli edhe reagimin e Metës, i cili i trembur nga deklaratat e kryediplomatit nga Athina doli në konferencë shtypi duke i dhënë llogari qeverisë greke dhe duke banalizuar rolin institucional të kreut të shtetit.
Greqia dhe Shqipëria kishin rënë dakord për një zgjidhje për marrëveshjen e detit në vitin 2009, por ajo nuk u zbatua kurrë, pasi Shqipëria nuk e ratifikoi atë, pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen. Ishte kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, si lider i opozitës në atë kohë, ai që çoi marrëveshjen e ZEE të 2009 duke e çuar në gjykatë, vitin kur vendi u anëtarësua zyrtarisht në NATO.