Ambjentalistët ‘jo’ importit të mbetjeve: Ka pasoja katastrofike për mjedisin! Paralajmërojnë protesta si në 2016-ën

17 Shtator, 16:55| Përditesimi: 17 Shtator, 17:43

  • Share

‘Boll Plehra ka Shqipëria’, me këtë slogan Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve ka kundërshtuar ashpër projektligjin e ‘Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve’, i cili synon ti hapë rrugë importit të plehrave, pjesë e listës së Gjelbër të BE-së.

“Jemi kategorikisht kundër importit të plehrave”, thotë Andi Tepelena teksa rikujton protestat e bëra ndër vite për këtë çështje. 

Aleanca paralajmëron protesta nëse qeveria miraton projektligjin që i hap rrugën ardhjes së mbetjeve në Shqipëri. Sipas tyre lejimi i importit do të kishte pasoja fatale për vendin, pasi kemi probleme të mëdha në menaxhimin e mbetjeve.

“Të mos e kalojë nismën në Kuvend dhe ta miratojë ligjin pasi do të ketë në mënyrë të pakundërshtueshme një reagim të fuqishëm për të ndaluar importin. Do të na ketë aty me protesta të mëdha”, është shprehur gjatë fjalës së tij ambjentalisti Lavdosh Ferruni.

Sipas ambjentalistit Ferruni, hapja e dyerve të Shqipërisë për importin e mbetjeve, paraqet rrezik të madh në kushtet kur vendi nuk po arrin të mirë-menaxhojë mbetjet që prodhon vetë.

“Importi i mbetjeve që është një ndotje e shtuar, në mënyrë marramendëse, pasi ka një presin të madh nga shtete të ndryshme për të eksportuar mbetjet e tyre në shtete si Shqipëri”, tha Ferruni.

Në takimin e hapur që aleanca ka zhvilluar për këtë çështje, mjeku radiolog Hektor Grazhdari është shprehur se djegia e mbetjeve nga industritë në vend shkakton lëndë toksike dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Plastika kur digjet lëshon nxehtësi të madhe, por edhe lënde toksike dhe kancerogjene, që do të shpërndahen në ambientin tonë me tym, do të futen në ciklin e ujit, do t’i hamë me ushqime, do të kalojnë tek kafshët,” tha ai.

Kurse gazetari Gjergj Erebara, tha se synimi i ndryshimeve ligjore është të favorizimi i kompanive të çimentos.

“Synimi i vërtet i këtij ligji nuk është menaxhimi i mbetjeve, por lejimi i dy fabrikave të çimentove që të importojnë plastikë për ti djegur në furrat e tyre, pasi plastika është më e lirë se gazi, nafta apo solari që ata përdorin në proceset e tyre industriale”, tha gazetari.

Në projektligjin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit, për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, në nenin 73 thuhet se do të lejohet importi i mbetjeve nga jashtë, dhe lista e mbetjeve të lejuara për t’u futur në territorin shqiptar do propozohet nga ministria. Konsultimi Publik për këtë projektligj u hap më 20 gusht dhe është mbyllur këtë të martë 17 shtator.

Lejimin e importit të mbetjeve Report TV, e ka trajtuar ekskluzivisht në muajin maj, atë kohë nisën diskutimet me industrinë prodhuese për t'i hapur rrugë mbetjeve jo të rrezikshme, që do mund të përdoren si lëndë djegëse nga industria.

Në një përgjigje zyrtare për Report TV ministria ka sqaruar se mbetjet që do të lejohet të vijnë në vend janë pjesë e listës së Gjelbër, e që janë pjesë e legjislacionit të BE për fushën e mbetjeve.

Kategoritë e mbetjeve që janë pjesë Listës se Gjelbër të BE, që nuk konsiderohen të rrezikshme, janë mbetje kartoni, letre, alumini, hekuri, mbetjet plastike, mbetje plumbi, mbetje zinku, mbetje industriale apo mbetje mjekësore. Por ende nuk ka një listë konkrete të mbetjeve që do të lejohen për import, e cila do të mund të sqaronte edhe impaktin mjedisor, nëse do të kishte apo jo reduktim të ndotjes apo jo.

Lejimi i importit ka qenë kërkesë e industrisë prodhuese, pasi bëhet i mundur zëvendësimi i lëndëve që përdorin aktualisht si koksi i naftës dhe zhavorret bituminoze, me lëndë djegëse të përbëra nga mbetjet që në vend do të vijnë si produkt i kompostuar.

Një nismë e tillë është diskutuar edhe në vitin 2016, ku aso kohe deputeti i PS-së Eduard Shalsi, pati propozuar që të lejohet importi i mbetjeve, që bëjnë pjesë në ‘Listën e Gjelbër’, por që nuk u miratua. Importi i mbetjeve ka qenë i lejuar deri në vitin 2013, por që u ndalua menjëherë pas ardhjes në pushtet të socialistëve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zylyfat: 18/09/2024 09:08

    Epo cfare nuk bejne per pak vemendje. Nuk e kuptoni more te uruar qe sot riciklimi quhet urban mining, si mund te kete industri ricikluese vendase pa patur mundesi importi te mbetjeve te listes se gjelbert. Vazhdon injoranca si me mbetjet radioaktive qe shkuan ne danimark ne vend qe te merrnim nje 2 miliardsh euro ne si shtet me bo nja dy tre rruge. Gjithe shtetet e europes kerkojne me ngulm keto mbetje ose siq quhen ndryshe lende e pare dytesore. Kurse ne do vazhdojme te shesim sufllaqe per turista se industri kemi 0, biles edhe sufllaqet i importojme nga greku. Ju rujt zoti mend e kokes

    Përgjigju
  • Ana: 18/09/2024 06:39

    Te ngrihet i gjithe populli kunder se po shkaterrohet edhe ajo natyre qe i ka ngelur vendit,mendoni per femijet tuaj.

    Përgjigju
  • Iris: 18/09/2024 03:24

    100 % dakord me ambientalistet! Nuk duhet pranuar asnje lloj plehre,pastaj kush tha qe plastika,plumbi,alumini,hekuri,mbetjet spitalore nuk jane te rrezikshme,BE?! Ne U.S /Johnson and Johnson eshte detyruar nga shteti te paguaj miliona dollare demshperblime neper gjyqe, se pudra e talkut qe shiste permbante elemente kancerogjene qe jane pjese e pandare ne natyre e mineralit te talkut,jo se u shtuan artificialisht dhe kompania e shiste produktin si te sigurte,si te /pa rrezikshem/ e pikerisht per kete u penalizua.A mund te thote BE vetem per plumbin,plastiken,pa folur per te tjerat, se na qenkan /te sigurta/?! Qeveritaret tane duan t'a kthejne vendin tone ne nje /Tajlande/ mbetjesh(po te kujtojme rastin e Kurumit)se jane te pangopur per fitime.BE kur i quan /te parrezikshme/ le t'i perdore ne ind.e saj,jo te na i lere neve ne dere,se na dalin e na teprojne tonat.Njerez ngrihuni ne protesta e ndalojeni kete monstruozitet!

    Përgjigju
  • Turi: 17/09/2024 17:37

    Ju lutem te gjitheve ti mbeshtetim ambientalistet sepse do behet vendi kazan plerash toksike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?