Amelia Topçija dhe intervista e saj në Zerin e Amerikes

Amelia, me vegjët e familjes, po bën më shumë se një pëlhurë për Shqipërinë

20 Qershor 2023, 12:55| Përditesimi: 20 Qershor 2023, 13:01

  • Share

Gazetarët nuk janë vetëm nga ata të "bombave" apo të sherreve, ofendimeve, shpifjeve. Gazetarët, më të shumtët, edhe në Shqipëri, janë njerëz të një pune të lodhshme, por plot pasion e dedikim në kërkim të fakteve, të së vërtetës dhe talenteve njerëzore. Edhe në Shqipëri, nga veriu në jug, ka plot shqiptarë që jashtë dritave të famës, të zhurmës, të bujës, të luksit, makinave të shtrenjta e dasmave më ekskluzive, ndërtojnë dhe rindërtojnë copëza kulture, tradite dhe historie. Janë gazetarët që i zbulojnë dhe i sjellin afër këto histori: Si kjo e vajzës shkodrane Amelia Topçija, treguar nga gazetarja Mimoza Picari në Zërin e Amerikës. 
Amelia, një vajzë e re e diplomuar për matematikë, ka vendosur të vazhdojë traditën e familjes, të gjyshit, nënës, hallës që sot nuk jetojnë më: thurjen e pëlhurave në vegjë. Në mjediset ku ka vendosur disa tezgjahe dhe ku punojnë disa zonja shkodrane nuk ka luks, por diçka më shumë se kaq: shtresëzime historie, marrëdhëniesh njerëzore dhe pasioni që perceptohen pa u thënë. Kjo punë nuk të rendit si më të klikuarën në Instagram dhe as nuk të çon si të "super të ftuar në emisionet më me zë", gratë e politikanëve nuk do të mbajnë radhën për të bërë porosi si në dyqanet me veshje firmato në Tiranë, apo në argjendaritë më në zë, por ama, për shoqërinë, kjo që po bën është si ato gurët e pavdekshëm në themel që zenë vend dhe aty qëndrojnë. Për qindra vite me radhë. 
Në rrëfimin e saj të qartë e të thjeshtë Amelia bën një deklaratë që thërrmon një mentalitet të të bërit biznes për disa. Ajo thotë: "U bënë disa muaj që nuk kam tërhequr asnjë lek për vete nga biznesi. Çdo e ardhur është përdorur për të blerë materiale, ose për rrogat...". Një rrëfim normal i një të reje që biznesin e saj nuk e sheh si një mundësi vetëm për t'u bërë pronare, apo si një dëshirë e pafrenuar për të futur duart në arkën e biznesit sa herë i teket apo sa herë i shkon mendja për të blerë këpucë të modës, për të bërë pushime të shtrenjta siç jemi mësuar me format e biznesit nga disa pasanikë shqiptarë. Amelia është e ndërgjegjshme se një biznes, e sidomos një investim në artizanat, kalon përmes sakrificave dhe rregullave, ku e para që sakrifikon është ajo.
Reflektorët e medias mbi realitete që lindin mes vështirësish, por që rindërtojnë indin e shoqërisë sonë, sjellin jo vetëm njohjen e këtyre përpjekjeve nga publiku, por shpresohet të ngjallin veprimin dhe ndihmën që sturkturat vendore dhe qëndrore, ashtu siç bëjnë me të drejtë për infrastruktura të fshatrave dhe qyteteve, t'u japin pa kursim me qëllim dhe përhapjen, imitimin në të katër anët e Shqipërisë. 
Ringjallja e punës së çmuar të artizanëve është një dritë edhe për riparimin e problemeve të shoqërisë së tranzicionit në Shqipëri. Amelia Topçija bashkë me tri zonjat shkodrane, nga shtëpia e vjetër 150 vjeçare e familjes së saj, me ato pak vegje e filla shumëngjyrëshe, po bën shumë më shumë se një biznes, ajo po vendos melhem në plagët e hapura të shoqërisë shqiptare. 

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?