KOSOVË- Arbër Zaimi, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti ka përshëndetur amendamentin e dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë nga kryedemokrati Lulzim Basha i cili propozon për ndryshimin e buxhetit ku të përfshihet 50 milionë euro ndihmë ushtarake për Kosovën.
Zaimi e cilësoi këtë si një mundësi për partitë politike në Shqipëri për t’u bërë bashkë në një çështjen që përfshin interesat kombëtare.
“Është e qartë se politika parlamentare në Shqipëri prej kohësh ka polarizim ekstrem. Fatkeqësisht ky polarizim është tejkaluar rrallë, vetëm kur ka patur presion ndërkombëtar, gjë që nuk ka rezultuar gjithmonë pozitive për të gjitha palët vendase.
Por palët do të duhet hera herës të bëhen bashkë - përtej urrejtjes që kanë për njëri-tjetrin e pavarësisht asaj - edhe për interesin kombëtar, gjë që do t’ua rriste hapësirën e veprimit dhe sovranitetin Një rast shumë i mirë për t’u bërë bashkë, është propozimi i Lulzim Bashës për t’i ndarë nga buxheti i Shqipërisë 50 milion euro për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës”- shkruan Zaimi.
Ndërsa më tej, këshilltari i Kurtit, shprehet se nëse një gjë e tillë ndodh mund të jetë veprimi më strategjik që politika shqiptare mund të marrë gjatë këtij viti.
“Natyrisht kjo kërkon mbështetje edhe të mazhorancës, edhe të pjesëve të tjera të opozitës. Nëse kjo miratohet, do të jetë veprimi më strategjik që politika shqiptare mund të marrë në vitin 2024”- përfundon Zaimi në reagimin e tij.