Psikoza kolektive në rrjetet sociale amerikane ka prodhuar një tjetër makth. Një pjesë e përdoruesve janë të bindur se më 20 prill presidenti Donald Trump do të shpallë gjendjen ushtarake. Kjo teori është bërë virale fillimisht në TikTok, ku hashtag-u #martiallaw ka gjeneruar mijëra ndërveprime brenda pak orësh, dhe më pas është përhapur edhe në Facebook, madje edhe nga disa llogari me prirje progresiste.
Në realitet, nuk ka asnjë shenjë konkrete që Trump ka ndër mend të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili do të përbënte një kthesë dramatike dhe të paprecedentë në historinë e demokracisë amerikane. Shpallja e gjendjes ushtarake do të nënkuptonte shtypjen e çdo forme disidence dhe kthimin e SHBA-ve në një regjim autokratik.
Por rrjetet sociale janë më të mbushura me frikë se me fakte.
Origjina e kësaj frike është një urdhër ekzekutiv që Trump nënshkroi më 20 janar, ditën kur u rikthye zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë. Në atë dokument, presidenti i kërkon Departamentit të Mbrojtjes dhe atij të Sigurisë së Brendshme që të përgatisin një raport për gjendjen në kufirin jugor me Meksikën dhe të përcaktojnë nëse ekzistojnë kushtet për të aktivizuar Insurrection Act, një ligj i vitit 1807 që lejon përdorimin e ushtrisë për të përballuar trazirat e brendshme. Afati për dorëzimin e raportit është pikërisht 20 prilli.
Ky ligj është pjesë e kuadrit ligjor të emergjencave në SHBA, dhe i jep presidentit kompetenca të zgjeruara për përdorimin e ushtrisë dhe Gardës Kombëtare në raste të rënda të mosstabilitetit civil.
Historikisht, Insurrection Act është përdorur shumë rrallë. Presidenti Abraham Lincoln e aktivizoi gjatë Luftës Civile në 1861, Ulysses S. Grant e përdori për të shtypur sulmet raciste të Ku-Klux-Klanit në Karolinën e Jugut në 1871, dhe më vonë George H. W. Bush gjatë trazirave të vitit 1991 pas rrahjes brutale të Rodney King nga policia në Los Angeles.
Por në rrjete sociale po përhapet ideja se aktivizimi i këtij ligji mund të shërbejë si paradhomë për shpalljen e gjendjes ushtarake, që në realitet është një koncept krejtësisht tjetër: pezullim i të drejtave civile, kontroll total ushtarak dhe zëvendësim i gjykatave civile me ato ushtarake.
Në këtë klimë pasigurie, edhe arrestimet e disa studentëve dhe pedagogëve, të akuzuar për antisemitizëm, janë parë nga disa si shenja të një tendence autoritare. Po ashtu, përmendet “Project 2025”, një platformë politike e hartuar nga përfaqësues të ekstremit të djathtë, që tashmë janë pjesë e administratës Trump. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim konkret për një “shtet policor” në horizont.
Media tradicionale amerikane trajton me kujdes këtë teori, por rrjetet sociale vazhdojnë të ushqejnë panikun, veçanërisht për shkak të një rastësie të zymtë: 20 prilli është edhe data e lindjes së Adolf Hitlerit – një figurë të cilës Trump, në disa raste, i është referuar në mënyrë kontroverse, duke vlerësuar besnikërinë e gjeneralëve të tij./ Përshtatur nga La Repubblica
Komente
