Foto ilustruese

Ekonomi

AMF miraton rregulloren që ul nivelin e komisioneve të ndërmjetësimit në sigurimin e automjeteve

27 Tetor 2021, 12:51| Përditesimi: 27 Tetor 2021, 12:54

  • Share

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e djeshme rregulloren për komisionet e ndërmjetësimit. Kjo rregullore është hartuar për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, ku parashikohet se komisionet e ndërmjetësimit nuk mund të jenë më të larta se niveli i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti.  

Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave, për çdo shitje të një kontrate sigurimi. Sipas përcaktimeve të nenit 4 të rregullores së miratuar nga AMF, “Shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022.” Kjo vlerë parashikohet të ulet më tej, duke nisur nga 1 janari 2023, duke zbritur në 18% të primit të shkruar bruto për çdo policë të sigurimit të detyrueshëm motorik.   

Në këtë mënyrë, kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit prek kontratat e sigurimit TPL, policat kufitare, si edhe Kartonin Jeshil. Nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, komisionet e ndërmjetësimit në këtë kategori sigurimi gjatë viteve të fundit rezulton të kenë qenë të larta, me një mesatare tregu prej afro 28%. 

Rregullorja e miratuar nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës brenda kësaj periudhe deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re “Për komisionet e ndërmjetësimit” duhet të rishikojnë marrëveshjet e tyre me ndërmjetësit në lidhje me komisionet që ata përfitojnë për shitjen e kontratave të sigurimit. Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim, si edhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?