Partia Demokratike akuzoi Rithemelimin se i ka bashkuar votat me qeverinë, enkas për të falur të korruptuarit.
Duke iu referuar të dhënave të SPAK se janë liruar rreth 100 të dënuar nga GJKKO, Arbi Agalliu i kërkoi Gazment Bardhit të cilit i referohet si ‘Pitkini’ që ta pranojë se pse e ka votuar këtë ligj.
“Po tani a do thotë Pitkini që nuk do të amnistohet asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK? Fol Pitkin fol! Bëhu burrë! Fol e prano që PO, votova që të amnistoj të korruptuarit.
“SPAK ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga amnistia votuar në 4 prill në Kuvend. Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tenderë apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.
16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Këtu duket mjaft qartë se kush e mbështet luftën kundër korrupsionit dhe kush e mbështet korrupsionin.
Këtu duket mjaft qartë se kush kërkon një Shqipëri pa korrupsion dhe kush i mban shpresat tek korrupsioni për interesa personal. E pra, ky është rezultati i bashkimit të votave me mazhorancën i Pitkinit me shok”, shkruan Agalliu.