TIRANË- Të huajt dhe grupet e interesit në vend kanë ngritur një sërë rezervash për amnistinë fiskale. Paqartësitë dhe mangësitë e draftit për ekspertin Kontabël Sotiraq Dhamo fillojnë që prej mungesën se analizës financiare, se sa do të jenë të ardhurat që do të përfitojë buxheti i shtetit.
“Një ligj për amnistinë ka një padrejtësi për ata që kanë qenë të rregullt, të cilët penalizohen pasi ata që i kanë konkurruar dhe kanë bërë evazion do paguajnë më pak tatime. Që kjo të quhet e pranueshme duhet që efektet financiare të jenë të mëdha. Duhet të bëhet një analizë çfarë efektesh financiare pritet të sjellë, që bëhet sipas sektorëve, kompanive dhe individëve. Një analizë e tillë mungon”, shprehet Dhamo.
Dhamo kthehet edhe një herë tek riatdhesimi i parave nga emigrantët, që sipas tij me projektligjin aktual nuk zgjidhet. Eksperti thotë se emigranti maksimumi kalon në doganë deri në 10 mijë euro.
“Nuk e zgjidh ligji se si do të vijnë këta para të huaja nga jashtë. paratë e emigracionit nëse janë të padeklaruara futen në Shqipëri vetëm në xhep. Pasi nëse futen në rrugë bankare nga jashtë vendet përkatëse do të kërkojnë burim dhe do të shikojnë nëse është apo jo evazion pasi ata nuk ta lejojnë sepse bën Shqipëria amnisti por jo shteti i burimit. Maksimumi qe mund të vijnë jo më shumë se 10 mijë euro për person, dhe nëse ndodh efektet do të jenë shumë të vogla. Nëse preket kufiri 10 mijë euro është rrezik se në bankë po futen para të pakontrolluara”, shprehet eksperti.
Nga ana tjetër ngërç mbetet menaxhimi i situatës dhe i parave të deklaruara, ku për Dhamon nuk duhet të jenë tre pragje tatimi.
“Para se të bëhet amnistia duhet të përsoset administrimi tatimor, ose në parim them para se të bëjmë politika fiskale duhet të përmirësojmë administrimi tatimor. Nuk duhet të jetë 5% por më pak për të qenë më stimulues, nuk duhet të ketë pragje pasi bizneset që duan të bëjnë deklarimin nuk kanë likuiditetin e nevojshëm në ato tre muaj”, tha Dhamo.
Amnistia fiskale ka marrë aprovimin vetëm në parim nga komisionet parlamentare. Deri në nisje të sesionit të ri parlamentar pritet që drafti të rishikohet dhe të pasqyrohen në të edhe kërkesat e ekspertëve.