Amnistia fiskale, ekspertët: Të qartësohen sektorët e investimit! Paratë të investohen në sektorë strategjik

27 Korrik 2022, 17:45| Përditesimi: 27 Korrik 2022, 18:04

  • Share

Ekspertët e ekonomisë e shohin një hap pozitiv për zhvillimin e vendit amnistinë fiskale, por thonë se qeveria duhet të saktësojë sektorët prioritarë ku të investohen këto para që legalizohen.

“Do të ishim shumë dakord që kjo amnistia do të shoqërohej në politika të qarta investimi. Pra që këto para që u mblodhën do të investoheshin në sektorë strategjik që mund të ketë Shqipëria. Ne nuk kemi parë asnjë lloj politike të investimit në këtë aspekt, sepse kush sjellë paratë një përqindje të tyre duhet t’i investojë në Shqipëri. Duke mos pasur këto dhe duke pasur edhe institucionet tona që do t’i monitorojnë amnistinë, dhe janë po ato institucione që kanë prodhuar këtë para të pisët në Shqipëri dhe normalisht besueshmëria është zero në këtë rast”, thotë eksperti Vjoldi Danaj.

Për ekspertët fushat ku mund të investohet janë bujqësia, turizmi e IT etj. Megjithatë, ekspertët besojnë se më shumë se sa për emigrantët, amnistia po bëhët për të legalizuar paratë që aktualisht janë informale në vend. 

 “Të jemi të qartë që paratë që vijnë nga informaliteti, trafiqet apo nga korrupsioni janë prezente, janë duke u investuar në sektorin e ndërtimit. Patjetër që është pandershmëri. Ato janë prezent por tani po themi hajde t’i legalizojmë dhe ‘ti bëjmë akoma më tepër prezent, ndërkohë që nuk kemi kapur asnjë nuk kemi dënuar njeri që është marrë me këtë aktivitet”, shprehet Genti Beqiri.

“Kjo bëhet për paranë e brendshme në territorin Shqiptar. Kjo para është shumë e madhe dhe gjithmonë është krijuar në kurriz të qytetarëve”, pohon Danaj.

Amnistia fiskale dhe penale është në fazën e konsultimit publik dhe nëse miratohet nga Kuvendi, pritet të zgjasë 9 muaj dhe të ketë dy fasha tatimi 7% për vetëdeklarimin në 4 muajt e parë dhe 10%  në 5 muajt e tyrë, ndërsa maksimumi i vetëdeklarimit është 2 milionë euro nga një familje. Ky proces i hap rrugë legalizimit të pasurisë së luajtshme dhe paluajtshme të fshehura të emigrantëve dhe rezidentëve në Shqipëri, si dhe  bizneseve ju jepet mundësia të formalizohen, duke legalizuar bilancet e tyre të dyfishta.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?