Amnistia Penale është kthyer në një debat të nxehtë mes palëve politike në Shqipëri, ku PD zyrtare ka qëndrimin e prerë për të votuar vetëm versionin fillestar të projektligjit, ndërsa Rithemelimi, qartë ka vendosur si kusht bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore dhe lejimin e komisioneve hetimore.
Në studion e emisionit ‘5 Pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv deputeti i PD-së së Rithemelimit, Dashnor Sula tha se kjo është hera e parë që nuk ka konsensus të gjerë për miratimin e një amnistie penale. Sipas tij, nga kjo amnisti mund të përfitojnë edhe ish-zyrtarë të lartë.
“Nga 2005 që kam qenë në parlament është hera e parë që nuk ka konsensus të gjerë. Demokracia është pjesëmarrje. Në momentin që i heq këtë fjalë, nuk është më e tillë. Amnistia duhet të ishte një produkt me specialistë me një studim të hollësishëm. Në momentin që arrin të fusësh interesat personale... këto të mazhorancës thonë t’u falim një vit këtyre të GJKKO e SPAK t’u tregojmë se nuk janë vetëm”- tha Sula.
Ndërsa avokati Sokol Hazizaj e konsideroi këtë projektligj për amnistinë si një “gënjeshtër e madhe” pasi përjashton 99.925 të veprave në Kodin Penal.
“Amnistia në përmbajtjen e saj nuk është amnisti, është një gënjeshtër kaq e madhe sa në 8 dispozita që ka drafti, 5 prej tyre janë përjashtuese. Rastet përjashtimore përfshijnë 99.92% të veprave në Kodin Penal. Rastet përfshirëse përfshijnë rreth 0.7% të atyre që edhe pa u amnistuar vetëm me ditët e punës që kanë bërë dalin vetiu”- u shpreh avokati.
Nga ana tjetër sociologia, Marsida Simo tha se amnistia mund të japë idenë e gabuar në shoqëri se edhe ata që bëjnë krime mund të falen.