Ministria e Drejtësisë nisi punën për një amnisti për të burgosurit dhe të proceduarit, por ai nuk do të kalojë brenda dhjetorit siç ka ndodhur herët e tjera që ka pasur amnisti.
Qeveria nuk i kapi dot procedurat parlamentare për ta depozituar në Kuvend këtë javë që u mbyll, dhe rregullorja e Kuvendit nuk lejon as kalimin me procedurë të përshpejtuar, pasi me procedurë të tillë këtë javë, që është edhe e fundit e këtij sesioni, do të shqyrtohet ligji për krijimin e xhandarmërisë.
Por, edhe sikur qeveria ta kishte depozituar në kohë nismën, amnistia kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota, pra edhe konsensusin e opozitës.
Klima politike në të cilën janë vendosur palët është e tensionuar, ndaj konsensusi duket i pamundur.
Kjo bëhet edhe më e largët, kur në të njëjtën seancë mazhoranca do të rrëzojë edhe propozimit kushtetues të demokratëve për vettingun e politikanëve, në kushtet kur as Komisioni i Venecias nuk e mbështeti atë.
Pavarësisht se do të dështojë në votim, opozita do të shënojë një fitore: ajo do të shpëtojë mandatet të cilat ishte gati duke i djegur pas gati 6 muajsh bojkot.
Ndërkohë një tjetër reformë madhore po shkon drejt dështimit. Ndërkombëtarët dhe rekomandimet e institucioneve të huaja kanë qenë që reforma zgjedhore të miratohej 6 muaj përpara zgjedhjeve, pra brenda dhjetorit, më qëllim që të arrihej në kohë zbatimi i saj në zgjedhjet lokale të qershorit të ardhshëm. Edhe pse dy bashkëkryetarët punuan mirë dhe me mirëkuptimin, shenjat që konflikti të kthehet në konsensus brenda javës, janë të dobëta.