Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim ka qenë realist në konferencën për shtyp në prag të finales së Europa League kundër Tottenhamit, e cila luhet sot në orën 21:00 në Bilbao. Tekniku portugez theksoi se triumfi në këtë kompeticion nuk do të fshijë sezonin zhgënjyes të "Djajve të Kuq" në Premier League, por mund të shërbejë si një pikë kthese për të ardhmen e klubit.
“Kjo ndeshje nuk do të mbulojë gjurmën negative të sezonit aktual, por do të na ndihmojë ta përfundojmë atë dhe shumë njerëz do ta shohin ekipin tonë në një mënyrë tjetër. Fitimi i një titulli evropian është me të vërtetë i rëndësishëm”, u shpreh Amorim.
Pavarësisht ulje-ngritjeve gjatë sezonit, Amorim beson se skuadra e tij ka treguar potencial kur ka qenë e përqendruar dhe e bashkuar.
“Ne e kemi vërtetuar se kur luajmë lojën tonë dhe jemi të fokusuar, mund të kontrollojmë çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit apo vendit ku luajmë’’, shtoi portugezi.
Trajneri e vlerësoi rëndësinë e finales jo vetëm si një objektiv afatshkurtër, por si një moment vendimtar për projektin e tij afatgjatë në "Old Trafford".
“Do të jetë e rëndësishme për ne dhe për tifozët tanë. Na duhet ndjenja e fitores, që të na japë forcë për të përballuar të gjitha sfidat që kemi përpara. Kemi ende shumë punë për të bërë në këtë klub”, tha trajneri i United.
Amorim, i cili u emërua në krye të Manchester United për të ndërtuar një skuadër të re dhe konkurruese, ka mundësinë të sigurojë trofeun e parë europian të klubit pas më shumë se një dekade. Fitorja në finalen e Europa League mund të jetë pikënisje një epoke të re për "Djajtë e Kuq".
Lajmi kryesor:
Europa League/ Sot Tottenham - Man. United në Bilbao, përballë dy ekipet më të dobëta për një finale evropiane
S.Dh/ReportTv.al