Një oficer rendi i Komisariatit të Policisë Fushë - Krujë është arrestuar pasditen e sotme, nën dyshimet se është i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se nga hetimet rezulton se efektivi i policisë Elson Leka, në bashkëpunim me vëllain e tij Ç. L., (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë, ku janë konstatuar parcela me 65 bimë narkotike të dyshuar “Cannabis Sattiva”.
Pasi kanë konstatuar praninë e policisë janë larguar për ti shpëtuar kapjes.
"Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale",- njofton AMP mbi operacionin "Bashkëpunimi".
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Komente
