Dosje

Ana e panjohur e Mehmet Shehut dhe raportet me Enverin, kujtimet e ish-Shefit të Shtabit të Ushtrisë

14 Qershor 2023, 07:21| Përditesimi: 22 Qershor 2023, 15:08

  • Share

Memorie.al / Veli Llakaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mehmet Shehut në kohën që ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, nëpërmjet shënimeve të shkëputura nga arkiva e tij personale, tregon se, shefi i tij, ndonëse ishte i sertë në dukje, njeri që nuk të falte në gabimet e qëllimshme, pra të bënte gjëmën, për ata që e kanë njohur nga afër, apo kanë pasur me të marrëdhënie pune, njohin një anë tjetër fisnike të tij; mikpritjen. Sipas Llakaj, familja Shehu, ishte një familje mikpritëse, dinte t’i respektonte mysafirët, por dhe u kthente vizitat në sebepe apo raste të tjera. Familja e tyre, sipas autorit Llakaj, ishte model i mikpritjes, i traditave të zonës së Mallakastrës, që nga respekti për mikun, duke e pritur te dera, te riti i qerasjes e deri te gatimi i veçantë tradicional e dollia.

Në shtëpi, për miqtë, kushdo qofshin ata, sipas Llakajt, Mehmet Shehu ishte një njeri tepër miqësor, që të respektonte duke fshirë çdo ndrojtje apo siklet te miku. Bile, ashtu shoqërisht dhe miqësisht, siç kujton Llakaj, Mehmeti u bën dhe një „zbor“ të fuqishëm atij dhe kolegëve zëvendësministra, duke i vënë në rresht e duke i udhëhequr të ecnin zbathur mbi çakullin-brisk që u përgjakte këmbët.

Te Mehmeti, në shtëpinë e pushimit në Durrës

“Mehmet Shehu, ishte tepër mikpritës e tepër shoqëror. Kushdo që ka punuar nga afër me të, krahas intolerancës në kërkesën e llogarisë për realizim në kohë e me cilësi të detyrave, shembullit të zbatimit me korrektesë të urdhrit, qenien vetë gjithmonë në ballë të punëve, kritikave të ashpra e ndëshkimeve për hileqarët, abuzuesit, kujton e mban mend shumë cilësi të mrekullueshme të Mehmetit, midis të cilave edhe mikpritjen. Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes, duke qenë vartësi i tij direkt për 8 vjet, ruaj shumë kujtime të mira me Mehmetin dhe në këtë aspekt. Ja disa shembuj. Në një nga pranverat e atyre viteve, isha me pushime në Durrës, familjarisht. Pushimet i bënim në Kavalishencën e Ushtrisë, ndërsa atë vit, njëkohësisht me mua, po bënte pushimet familjare edhe Duro Shehu, vëllai i Mehmetit.

Për faktin se edhe Mehmeti ishte në Durrës me pushime në atë kohë, bisedova me Duron dhe menduam t’i shkonim për një vizitë shoqërore, në një nga ato ditë. Lajmëroj Ali Çenon dhe i them se dua të shkojmë për një vizitë shoqërore e jo pune, te Mehmeti, ndaj të kontaktojë dhe të na kthejë përgjigje. Nuk vonoi shumë, Aliu vjen tek unë dhe më thotë: “Më komunikoi se; “Do të vini për vizitë, vetëm kur t’ju lajmëroj unë, se kështu më tha ustai”. Mbas 4-5 ditësh, më kontakton përsëri Aliu dhe më thotë se në vizitë, unë dhe Duro, do të marrim me vete edhe gratë. Ndërsa Mehmeti, siç na përcolli ftesën Aliu, na priste në orën 13.00.

Kështu bëmë. Na priti bashkë me Fiqretin. Sapo u afruam, kishin dalë të dy jashtë tendës ku rrinin dhe na uruan mirëseardhjen. Pasi pimë nga një kafe, në një mjedis shoqëror e familjar, Mehmeti filloi nga ato shakatë e qyfyret e zakonshme, pa asnjë nuancë zyrtarizmi. Pastaj Fiqreti, na ftoi të shkonim brenda në dhomë, për të ngrënë drekën. Kishte përgatitur një drekë të mrekullueshme, sipas traditës e zakonit të fshatit. Mehmeti, duke qeshur, më tha: “Veli, kështu pritet miku, jo si na e bëri shoqja Lenko Çuko, që brodhën tërë ditën nëpër Myzeqe me të, dhe në të ikur na tha: “Po pak drekë nuk do të hani, shoku Mehmet”?

Në urim për martesën e djalit të Mehmetit, Bashkimit

Mehmet Shehu, kishte martuar djalin, Bashkimin, dhe për çlodhje, kishin shkuar për pushime disaditore në Dajt. Ne, si bashkëpunëtorët e tij më të afërt, në Ministrinë e Mbrojtjes, na takonte t’i bënim një urim Mehmetit, për këtë gëzim familjar. Nuk më kujtohet, se kush e mori nga ne zëvendësministrat në telefon, për ta lajmëruar e për të konfirmuar pritjen dhe kohën që do të shkonim. Duke na falënderuar ne për këtë kërkesë, Mehmeti na tha se, do të shkonim kur të na thoshte ai. Kështu u bë.

Na lajmëroi të shkonim në ora 17.00. Në raste të tilla urimi, zakonisht, dërgohet edhe një dhuratë simbolike. Kështu bëmë dhe ne. Pasi rrahëm mendimet se çfarë duhet të çonim, ramë dakord dhe vendosëm. Pra si dhuratë, kishim marrë bustin e Skënderbeut. Ndërsa gratë tona, nga ana e tyre, kishin marrë diçka dhe ata. Na priti bashkë me Fiqretin, si zakonisht duke dal në derë, duke na takuar e, duke na uruar me përzemërsi mirëseardhjen. Qëndruam pak brenda në kthinën e pritjes, aq sa na bëri Fiqreti qerasjen. Pas kësaj, Mehmeti ndërhyn dhe na ftoi të dilnim jashtë, andej nga ai bënte shëtitjen çdo ditë.

“Ejani të dalim një shëtitje së bashku, andej nga dal unë çdo ditë”! Vazhduam lirshëm bisedat tona, ku domosdo, shumica ishin për problemet që kishin ne në punën tonë në Ministrinë e Mbrojtjes, probleme të forcimit të gatishmërisë, probleme të stërvitjes dhe të aftësimit profesional të kuadrove. Nuk di sa ecëm kështu, derisa dolëm në rrugën kryesore, nën një hije peme ku ai na thotë: “Tani do të bëni si bëj unë me Fiqretin. Pra, hiqni këpucët dhe çorapet dhe ejani pas meje”! Fillimisht nuk kuptuam se ku donte të dilte, por bëmë siç bënte ai me Fiqretin. Hoqëm këpucë e çorape dhe vazhduan ecjen krahas tyre. Rruga që do përshkonim, ishte me guriçka të vegjël që sa shkelje, të jepnin goditje në majë të kokës, nga sëmbimet e dhimbshme e të padurueshme në mish. Tmerr i vërtet, sa nuk qanim nga dhimbja. Kurse Mehmeti, ecte pa asnjë pengesë. Me sa duket, stërvitja e përditshme në këtë mënyrë, kishte bërë që këmbët e tij të mësoheshin me këtë lloj torture, të fitonin imunitet dhe të mos e ndjenin më efektin dhimbje që të torturonte.

E mallkuam veten që vajtëm. Pas këtij marshimi të “këndshëm”, shkuam në vilën ku pushonte ai. Aty ishte shtruar darka, tamam si në fshatrat e Mallakastrës, me mish të pjekur dhe me një gjellë karakteristike, shumë të shijshme që gatuhet në zonën e Mallakastrës. Pas bukës, pimë kafe e qëndruam deri vonë, derisa u ndamë. Ja, pra, ky ishte Mehmet Shehu, shoqëror e mikpritës. Siç e theksova edhe më sipër, unë personalisht, por dhe shokë të tjerë e kolegë që punuam gjatë me të, ruajmë kujtime të shumta të kësaj natyre, ku Mehmet Shehu, në dukje tepër i vrazhdët, ishte një njeri tepër i ndjeshëm, dashamirës, miqësor e mikpritës.

Ligji i kohës: “Partia në komandë të ushtrisë”! Ndonëse, “timonin” e problemeve të mbrojtjes, pas dënimit më 1974, të “Grupit puçist” të Beqir Ballukut, në Ushtri e merr Mehmet Shehu, krahas të tjerave dhe një njeri i përgatitur nga ana ushtarake, ligjin, si në çdo fushë të jetës, e bën Partia. Kështu që, sipas shënimeve të Veli Llakajt, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe bashkëpunëtorit të tij për 8-vjet, për çdo problem në Ushtri, informohen e marrin “vulën” nga Enver Hoxha, që njëkohësisht, ishte dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ndërsa një nga njerëzit më të afër të Enverit, Hysni Kapo, ishte i ngarkuari i Komitetit Qendror, për problemet e Ushtrisë dhe Mbrojtjes.

Diktati i partisë, apo direktiva e kohës…?!

“Në ushtrinë tonë, në krye të mbrojtjes sonë, në komandë, është Partia”, ishte një realitet i padiskutueshëm. Në bazë të praktikës së kohës, një ditë në çdo muaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (Veli Llakaj), ishte i detyruar të raportonte e të merrte kontakte direkte me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Enver Hoxhën. Pra, edhe pse hartues, zbatues e përgjegjës për direktivat dhe vijën e partisë në fushën e mbrojtjes, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, ishte Mehmeti, ai anashkalohej, apo më saktë, merrte kontakte për këtë fushë, nga Shefi i Shtatmadhorisë. Në njëfarë mënyre, Partia, edhe nëpërmjet kësaj forme, kishte nën kontroll mbrojtjen e vendit. Për Veli Llakajn, ushtarakun më madhor të kësaj periudhe, njëkohësisht dhe përgjegjës për sigurimin e mbrojtjes së vendit, kontaktet dhe marrëdhëniet e punës me Enverin e Hysni Kapon, ishin korrekte.

Bashkëkohësit, por dhe njerëz të tjerë që kanë patur mundësinë të kenë pasur kontakte të vetme apo dhe të rralla pune, me Mehmet Shehun, krahas të tjerave, e kujtojnë si një njeri gjaknxehtë, të ashpër, arrogant, që të bënte “gjëmën“ nëse përballeshe me të, apo nëse të gjente një gabim. Veli Llakaj, ish-bashkëpunëtor i afërt për 8-vjet, në shënimet e tij, duke mos i hequr për shefin e tij këto vlerësime, këmbëngul në veti të tjera të Mehmetit; që nga ndershmëria, përgatitja perfekte në shumë fusha të jetës, zemërgjerësia si dhe dinamizmi në punë. Interesant është dhe përcaktimi që jep Llakaj, për moralin e Mehmet Shehut, veçanërisht në rastin e përfoljes së çështjes “Natasha Shehu”, si vajzë ilegale e tij.

Duke renditur shembuj e të dhëna konkrete, Llakaj pohon se Natasha, është një mashtruese, se Mehmeti ka qenë gjatë gjithë jetës së tij i ndershëm. Sipas shënimeve dhe konfirmimeve të Llakajt, edhe në disa raste të dënimeve të kuadrove madhorë në Ushtri, është së pari dora e Kadri Hazbiut dhe jo e Mehmetit. Në funksion të këtij argumenti, Llakaj, sjell dhe shembuj konkretë, ku para se Mehmeti të gjykonte ndëshkime për kuadro të njësive, që kishin mangësi në punë, merrte për bazë vlerësimet komplekse në kohë të tyre, si dhe mendimin e eprorëve direkt.

Morali, marrëdhëniet e punës dhe ato shoqërore me Mehmet Shehun

“Duke qenë për 8-vjet në marrëdhënie pune me Mehmet Shehun, sigurisht kishim dhe marrëdhënie shoqërore. Atëherë, por dhe më vonë e tani, duke gjykuar më me gjakftohtësi, ruaj mendimin se; Mehmeti, mbetet jo vetëm një njeri i përgatitur në shumë fusha, por dhe një person i respektueshëm, me karakter të fortë, ndonëse shpesh dhe gjaknxehtë. Është folur e përfolur shumë për natyrën dhe karakterin e Mehmet Shehut, si nga ata që e kanë njohur nga afër dhe ata që kanë dëgjuar për të. Kjo është e drejta e tyre, që secili të japë mendimin si e gjykon ai, në kohë dhe në vendin e caktuar, figurën e njërit apo tjetrit. Unë që kam punuar për 8-vjet me të, do të mundohem të hedh ato pak kujtime që më kanë mbetur në kujtesë.

Ata që e kane njohur më gjatë dhe më nga afër, sigurisht janë më të besueshëm dhe më të saktë. Sigurisht, figura e Mehmet Shehut, është komplekse, si në detyrën shtetërore, partiake, ashtu dhe në atë shoqërore. Vrazhdësia që ai kishte në natyrë, për mua dhe të tjerë që e kanë njohur nga afër, nuk dëmtonte sinqeritetin dhe qëndrimin shoqëror e dashamirës të tij. Për mendimin tim, ai nuk ishte aq i “zi”, sa dukesh, apo sa hiqesh në shpirt dhe në ndërgjegje, por një gjë është e saktë se, ishte fanatik i zbatimit me përpikëri të orientimeve, direktivave dhe vijës së partisë; ishte fanatik i zbatimit të porosive të Enver Hoxhës, ishte i vetmi, që mund t’i zbërthente e komentonte drejtë, porositë apo fjalimet e tij, në çdo fushë. Por, unë njoh më nga afër e më mirë, vetëm anën ushtarake të tij. Ishte ekzigjent i zbatimit të vendimeve dhe ligjeve, për të cilat nuk të falte.

Morali i Mehmetit, Natasha Shehu, mashtruese!

Dihet se morali është baza e parimeve, normave dhe rregullave, që përcaktojnë sjelljen e njeriut në shoqëri, që lidhet me nderin, sjelljen e ndershme, etj. Mehmet Shehu, ishte nga ata që kishte një moral, pikërisht sipas këtyre përcaktimeve, pra kishte moral proletar, shoqëror dhe fetar, se të tillë e kishte prejardhjen e tij. Mehmeti, asnjëherë nuk ka qenë moralist, pra të shiste moral dhe vetë të vepronte ndryshe, sepse ai kishte qëndrim parimor, ishte tepër i drejtë dhe i ndershëm, i sinqertë dhe i thjeshtë, bujar e mikpritës, kërkues ndaj vetes e të tjerëve. Pra, në këto çështje, ai nuk të falte. Dikur është folur nga një e ashtuquajtur “avokate ndërkombëtare”, Natasha Shehu, se gjoja ishte vajza e tij jashtë martesore, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë.

Për këtë, unë kam shkruar një artikull të gjatë në një gazetë, ku me prova bindëse, i kam hedhur poshtë shpifjet e ulëta të saj. Por, ajo nuk pushoi së akuzuari atë burrë shteti. Pse mund ta ketë bërë Natasha Shehu këtë? Ajo me siguri, është e futur nga dikush, për të ulur këtë figure, në një kohë tepër delikate, veçanërisht në periudhën kur djali i tij, Skënderi, hodhi kandidaturën për deputet.

Toleranca dhe komunikimi i Mehmet Shehut

Disa fenomene, që më kanë bërë përshtypje me këtë njeri kaq të “vrazhdë”, por tepër dashamirës dhe i komunikueshëm. Nga Gramshi, i shkon një letër për një pilot, se na ishte me biografi të keqe! Në këtë letër, shkruhej se X, nuk duhet të jetë pilot mbasi, daja i tij, ka qenë xhandar në kohën e Ahmet Zogut! Mehmeti, mbasi sqarohet se si sillej ky, çfarë përgatitje e zotësi fluturimi kishte, etj., shpjegime të cilat unë ja përcolla, mbasi këto të dhëna pozitive i mora nga Komandanti i Aviacionit, i nderuari Bardhyl Taçi. Mehmeti mbi atë letër vinte këtë shënim: “Oficeri të qëndrojë në detyrë, dhe të mos i zihet në gojë ky problem, se i krijohen shqetësime, se po të largohet ky për këtë çështje, unë (Mehmet Shehu) nuk do të isha Kryeministër i Shqipërisë, sepse një kushëriri im, ka vdekur në Burgun e Burrelit, Mehmet Ismail Shehu”.

Momente tjetër, ishte me komandantin e Brigadës së Gramshit, Ibrahim Çelën, të cilit i kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, pra, një depo armatimi, kishte marrë zjarr dhe për këtë duhej të përgjigjej sipas rregullave. Komanda e Grupimit të Elbasanit dhe Komiteti i Partisë së tij, kishin propozuar një masë shumë të rëndë se edhe ngjarja nuk ishte e vogël. Ai u kritikua rëndë, dhe u thirr në Kolegjiumin e Ministrisë, për masën përkatëse. Sigurisht, Ibrahimi ishte tepër i frikësuar. Para se të diskutohej e, të merresh masa nga Mehmet Shehu, si Ministër e Kryeministër, Mehmeti u konsultua me të katër zëvendësministrat dhe ne të gjithë ishim të një mendimi, se ngjarje të tilla edhe mund të ndodhin, por komandanti nuk duhej dënuar. Mehmeti i mori parasysh të gjitha mendimet e zëvendësve të tij dhe Ibrahimi, e kaloi me një vërejtje me paralajmërim.

Në kohën e të ashtuquajturit “puç” të Beqir Ballukut e të tjerë, u dënuan disa kuadro të larta të Ushtrisë, deri në funksione tepër qesharake, shef Shtabi, Batalioni nga Komandant Korpusi, siç ishte i ndjeri, Malo Harshova, apo komandanti i Mbrojtjes Kundër Ajrore të Shtetit, Kiço Janku, më vonë për arsye absurd, do të thosha u larguan nga detyra dhe Mendu Tetova e Kristaq Qarri, përkatësisht Komandant Akademie dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ai këto kuadro i kishte njohur edhe personalisht nga afër, ku mbas disa kohe, po me kujtesën e tij, ata u rikthyen në Tiranë dhe në institucionet akademike, me përjashtim të Kristaq Qarrit, që vdiq. Me keqardhje e kam përjetuar, ku edhe jam kritikuar, kur u dënova, sepse gjoja padrejtësisht, kisha mbrojtur disa kuadro.

Më vonë, me supozime e trillime të disa sigurimsave, kërkohej largimi i Eqerem Osmanit, Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe më vonë i Tomorr Hilës, oficer drejtimi në Shtabin e Përgjithshëm, të dy kuadro me shumë vlera. Për të dy këta, ç’është e vërteta, unë i kam raportuar Mehmet Shehut dhe ai ka urdhëruar që asnjëri e as tjetri, të mos largohen, por të kritikohen. Në këtë rast, me këmbënguljen e Kadri Hazbiut, u bë i mundur largimi i tyre nga detyrat përkatëse. Interesante ishte se; në të dy organizatat e partisë, kam qenë unë, ai që kam propozuar për largimin e tyre, se gjoja nuk na i paskan trajtuar mire, disa stërvitje. Sa e rëndë ishte për mua, por detyra…! Do të vijë një kohë, që unë do të takohem me ta dhe do të më vijë turp, se do të quhem si shkaktar i largimit të tyre…!

Llakaj: “Marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon”

 

Detyra e lartë që kisha, si; Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendës i parë i Ministrit të Mbrojtjes, përveçse bashkëpunimit të gjatë e punës me Mehmet Shehun, gjatë 8 viteve të mia në këtë detyrë, kam patur kontakte të vazhdueshme dhe me udhëheqës të tjerë të kohës, me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon. Rregullisht, siç e kam thënë dhe në shënimet e mia të Forcave të Armatosura, ishte normë takimi, një herë në muaj. Gjithashtu, edhe me Hysni Kapon ,që mbulonte Ushtrinë, në Byronë Politike, kam patur takime pune të shumta, gjatë karrierës time më të lartë në ushtri. Për sa kam punuar me këto dy figura të larta të partisë dhe shtetit, marrëdhëniet, kanë qenë tepër korrekte.

Sa herë që kemi shkuar në raport në Këshillin e Mbrojtjes, bashkë me shokët zëvendësministra, dhe me drejtorët apo komandot e njësive të ushtrisë, që nuk kanë qenë të pakta, ambienti që na është krijuar dhe fryma e diskutimeve, ka qenë tepër korrekte. Enveri, ishte tepër serioz në trajtimin e problemeve dhe tepër autoritar, por unë kam përshtypjen se ai, sa herë që paraqitnim ndonjë material, për t’u diskutuar në Këshillin e Mbrojtjes, studionte e vinte i përgatitur, duke bërë pyetje e, duke kërkuar përgjigje të prera, në linjën ushtarake. Kam shumë kujtime të ngrohta e shoqërore me të, por diku edhe të rrepta, siç kanë qenë dy raste, në fjalimet e tij kritike, rasti për disiplinë më 28 maj 1980, dhe diskutimi për mangësitë e stërvitjes “Biza”, ku u shkarkuan komandanti, komisari dhe sekretari i Grupimit të Tiranës dhe unë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, mora vërejtje me paralajmërim.

Të dyja këto kritika, edhe sot e kësaj dite, i quaj të drejta dhe me vend. Po kështu dhe në raportimet mujore kur i bëja, ishte tepër shoqëror në mendimet, vërejtjet dhe këshillat që jepte. Hysni Kapo, dallonte si me Enverin dhe me Mehmetin, në marrëdhëniet e punës e ato shoqërore. Hysniu, ishte tepër gojë ëmbël, i dashur dhe tepër i shoqërueshëm, por shumë parimor, gjë për të cilën, nuk të falte. Në këtë rast, bëhej më i rreptë se Enveri e Mehmeti. Megjithatë, do të thosha se, me të mund të diskutohej lirshëm dhe po t’i sillje argumente, ai ishte tepër korrekt; të besonte dhe tërhiqej, por edhe të ndiqte në çdo veprim, e të kontrollonte nëse ato ishin të drejta apo jo.

Me Enverin dhe Hysniun, në aktivin e Vlorës

Isha caktuar i deleguar i Komitetit Qendror të PPSh-së, në aktivin e partisë së Vlorës që bëhej për Ushtrinë. Ky aktiv u zhvillua më 21 mars 1977. Enver Hoxha, ishte me pushime në Vlorë dhe kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Hysni Kapo, tash’, siç duket, ishte i shqetësuar, se si do ti trajtoja unë problemet e mbrojtjes, ku do të ishte dhe Enveri. Pra, Hysniu duke ditur edhe idenë e Enverit, si bashkëpunëtori i tij më i afërt, me çdo kusht, donte që unë të paraqitesha, sa më dinjitoz. Ndaj dy ditë para mbledhjes, më thirri në Komitetin Qendror të PPSH-së, duke më paralajmëruar më parë, se në këtë aktiv do të merrte pjesë dhe shoku Enver.

Paraprakisht u interesua në telefon, nëse unë isha përgatitur mirë apo jo. Më tej, shtoi: “Po s’e ke për ofendim, mund të vini këtu, ta shikojmë bashkë materialin, që do mbani në atë aktiv”! Pra dhe kjo tregon një dashamirësi të një eprori serioz. Pasi shkova, ai nuk deshi ta lexoja unë materialin, por e mori dhe e lexoi vetë. Pas pak çastesh, mbasi bëri disa ndërhyrje të rastit, më thotë: “Veli, përsëri, po nuk e keni bezdi, unë them se materialin e keni të mirë, por mund të ma lini mua ta shikoj më me kujdes dhe ta merrni mbas dite, në ora 18.00”. Unë jo që nuk u ofendova, por e falënderova me shpirt, duke i thënë: “More shoku Hysni, po deri këtu do të futeni të lodheni me diskutimin tim”! Kështu u bë. Hysniu kishte bërë mjaft ndërhyrje, me atë shkrimin e tij karakteristik, kryesisht në linjën politike të partisë, mbasi si dukej, unë i kisha rënë me “sëpatën e dardharit”, me përparësi në fushën ushtarake.

E mora materialin dhe e falënderova për ndihmën konkrete. Ky material kaq i mirë, nuk u mbajt fare, në atë plenum. Enver Hoxha, mbas dëgjimit të raportit që mbajti Gaqo Nesho, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë, e dy diskutimeve, mori fjalën. Ai bëri një zbërthim tejet të gjatë dhe pasi u ul, duke qeshur tha: “Mos i merrni për konkluzione këto që thashë unë, se i deleguar është shoku Veli”. Dukej që, pas fjalës së Enverit, nuk do të diskutonte askush. Prandaj, Gaqo Nesho, thotë: “Fjalën e ka i deleguari i Komiteti Qendror të PPSH-së, shoku Veli Llakaj”. U ngrita, shkova në podium dhe iu drejtova aktivit të partisë, në këtë mënyrë: “Falënderoj shokun Enver, për ato mësime e detyra që na dha të gjithëve. Të mobilizohemi për ti zbatuar sa më mirë, se unë nuk kam çfarë të them, mbasi hudhra nuk hahet pas bakllavasë”!

Të gjithë duartrokitën dhe unë u ula pranë Enverit. Ai më shtrëngoi dorën dhe me kaq u mbyll, gjithë ai merak.

Lidhja telefonike e Enverit me Sazanin nga Vend-komanda

Një takim tjetër të rëndësishëm, kam fiksuar në shënimet e mia, atë me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, më 10 korrik 1978, kur ai vizitoi Vend-komandën e përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për kohë lufte. Enver Hoxha, që shoqërohej nga Mehmet Shehu, në prezencë dhe të zëvendësministrave të Mbrojtjes e, disa drejtorë drejtorie të Ministrisë, pasi u njoh nga afër me këtë objekt, tepër solid dhe komod, nëpërmjet raportimeve të Menduh Backës, kërkoi dhe mjaft sqarime, sidomos për një ndërlidhje të qëndrueshme e solide, me njësitë operative të Ushtrisë.

Në këtë objekt, ndërlidhja ishte, po si në gjithë ambientet e tjera të Shtabit të Përgjithshëm, pra, si pranë godinës së kohës së paqes, ashtu dhe asaj të Bërzhitës. Interesimit të tij, ne iu përgjigjëm se; mund të provonte ndonjë nga repartet e Ushtrisë, kë të donte. Në moment, ai kërkoi komandantin e Ishullit të Sazanit. Kjo ndërlidhje ishte perfekte dhe nëntokësore. Pas disa sekondave, centralisti i Komandës së Ishullit, u përgjigj: “Urdhëroni”! Enveri i thotë: “Jam Komandanti i Përgjithshëm, dua Komandantin tuaj”! Përgjigja e komandantit të Ishullit, Naim Muho, dëgjohet e saktë dhe e prerë: “Jam Komandanti i Ishullit, Naim Muho! Pasi e pyeti për problemet e atjeshme, Enveri e uroi për festën e Ushtrisë. Menjëherë, u lidh po me komandën e Brigadës së Sarandës dhe me komisarin e saj, Kadri Cenolli, shkëmbeu po të njëjtat mesazhe. Kështu veproi dhe me Korpusin e Pukës, etj.

Pasi zbriti nëpër ambientet, takoi kuadro, ushtarë, e centralistet me radhë. Pyeti se kush e bëri lidhjen aq të shpejtë me njësitin. “Unë”- i përgjigjet një centraliste, tepër e shkathët, Minushe Hysenaj. Enveri e përqafoi dhe bëri një foto me të gjithë centralistet. Inxhinieri i talentuar, Ibrahim Shametaj, i shpjegoi me radhë, gjithë sistemin e ndërlidhjes. Po kështu dhe drejtori i Ndërlidhjes, Abaz Thana, me shumë kompetencë, tregoi dhe për planet për perfeksionimin e mëtejshëm të Ndërlidhjes. Pas kësaj, shkuam në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ku u bë një parakalim i improvizuar, me të tre llojet e Forcave të Armatosura. Aty, Komandanti i Përgjithshëm, u prit me shumë ngrohtësi nga komandanti i shkollës, Rustem Peçi, komisari Agron Dushku dhe Sekretari i Komitetit të Partisë, Nuredin Dushani./Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • labi: 14/06/2023 10:02

    Bravo Veli qe shkruan te drejten se ata qe kane ngrene buken e socializmit e qe kane akoma therimet e tyre ne goje ,i shajne si puna e kermes serbe sali karaxhic

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?