Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar Fatmir Sheholli, i dyshuar për spiunazh.
Sveçla ka shkruar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar ai.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Sheholli është arrestuar pas hetimeve disa mujore.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sheholli ka qenë i ftuar herë pas here në televizionet e Kosovës në rolin e analistit politik. Ai është drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë. Ishte ftuar për dëshmi edhe nga Gjykata Speciale.
Në paraqitjet publike, ai ka pohuar se ka punuar në Shërbimin e Sigurimit të Serbisë (UDB) dhe pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).
Komente

Po nuk eshte i vetmi pyesni Nafi Cegranin dote zbuloni edhe te tjeret ka me mijera edhe sot ku shiten si patriota por jane anti kombetare.
Përgjigju