Dy analistët Genc Burimi dhe Ilir Demalia kanë komentuar rezultatin e sondazhit të Report Tv, ku nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin më 13 shtator, Rama do dilte sërish forcë e parë, Berisha e dytë, Basha e tretë dhe Meta forcë e katërt.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, analisti Burimi thotë se bashkimi i Berishës me Bardhin do jetë fatale për Ilir Metën, që sipas tij Partia e Lirisë mund të shkojë drejt shuarjes. Burimi nuk përjashton mundësinë që nëse Berisha nuk e fiton gjyqin me Bashën, të jetë Bardhi ai që të hapë një parti të re dhe më pas Berisha të futet në koalicion me të dhe të lërë Ilir Metën.
“A duhet lejuar Berisha me këtë elektorat të vazhdojë të bëjnë opozitë apo të presim të dalë një nga hiçi. Amerikanët sot presin të eliminojnë Berishën dhe të fillojnë nga hiçi. Ardhja e Bardhit hap një faqe të re, është një element pro-amerikan, gjithçka mund të ndodhë, Berisha mund të gjejë një marrëveshje me Bardhin. Basha thuajse është një parti e re që fillon nga hiçi. Nëse krijohet një koalicion i shëndoshë Bardhi bashkë me Berishën, nuk mund të habitemi që ndoshta Bardhi të krijojë një parti të re dhe në momentin që nuk fitohet gjyqi ndaj Bashës, atëherë Berisha në vend ti hipë kalit të koalicionit me partinë e Metës, mund të shkojë te partia e Bardhit. Bashkimi i Berishës me Bardhin do jetë fatal për Ilir Metën. Më i zgjuar po tregohet Bardhi sepse me kalimin e kohës partia po shkon drejt tij”, tha Burimi.
Nga ana tjetër, Demalia i pyetur a do mbijetojë dot në politikë Ilir Meta, nisur nga rezultatet e sondazhit ku nëse zgjedhjet do mbaheshin më 14 shtator do merrte vetëm 75 mijë vota, analisti thotë se nuk do ishte një çudi që Meta të shkojë sërish në aleancë me Ramën.
“Ne kemi parë shumë gjëra të pamundura në Shqipëri për arsye të një loje të pamoral të demokracisë shqiptare. Meta që sot duket i ngordhur nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme, Ramës mund t’i duhet 2-3 deputetë dhe bëhet prapë një aleancë me Metën. Politika shqiptare nuk ka linja në të cilat ndërton një strategji, një politikë, një ideologji, është politikë grupimesh mafioze dhe klanesh”, tha Demalia.