Pas protestave të maturanëve lidhur me provimin e Gjuhës dhe Letërsisë ku kërkojnë rivlerësim të shkallës së vështirësisë, dy pedagoget Dr. Albana Deda nga Universiteti i Tiranës nga dhe Dr. Natasha Poroçani nga Universitet i Durrësit kanë shkruar një artikull analizues mbi testin e Maturës shtetërore.
Dr. Albana Deda Dr. Natasha Poroçani
Universiteti i Tiranës Universitet i Durrësit
Vështrim mbi testin e Gjuhës dhe Letërsisë së Maturës Shtetërore 2020
Të gjendur para shqetësimit kolektiv në lidhje me testin e sivjetshëm të Maturës Shtetërore (në fakt edhe me teste të viteve të tjera) dhe përgjegjësisë profesionale dhe humane njëkohësisht, vendosëm që të konsultojmë testin, duke e vënë veten në pozicionin e maturantit, pra duke i marrë pyetjet një e nga një, pavarësisht se nuk kemi akoma çelësin e përgjigjeve, i cili mendojmë se është detyrim që të shpallet në momentin e mbarimit të provimit bashkë me tezën (Edhe pyetjet janë siguruar nga interneti.).
Bindja jonë është se vlerësimi i nxënësit në tërësi është një instrument mjaft i rëndësishëm, ndaj dhe gjykojmë se provimi i Maturës Shtetërore është i lidhur ngushtë me procesin e matjes dhe vlerësimit të aftësive të çdo nxënësi, pasi ai ka përfunduar një proces shkollimi[1].
Në fakt ky do të ishte rasti normal i zhvillimit të një provimi. E themi këtë se vetë hartimi i tezës është një përgjegjësi e madhe, e cila duhet ushtruar me kujdes, pa tendenciozitet dhe me korrektësisë shkencore. Ambiguitetet në interpretim, “Lapsuset” (Larg qoftë gabimet!), gabimet drejtshkrimore mendojmë se janë të patolerueshme.
Në këtë kontekst larg irritimit që zgjoi konsultimi i parë me tezën, ne e u munduam ta lexonim me gjakftohtësi dhe objektivitet në varësi edhe të informacionit që ka marrë nxënësi. Gjatë këtij procesi kemi vënë re këto elemente të diskutueshme (“lapsuse” apo “gabime’ le ta gjykojnë ata që do të na lexojnë) si në formulime pyetjesh, si në alternativat që jepen e duhet zgjedhur një, si në terminologjinë e përdorur, ashtu edhe në gabime drejtshkrimore etj.
Sqarojmë se te një pjesë e këtyre elementeve mund të gjejnë veten edhe dashamirës të tjerë të kësaj tematike që po diskutojmë (që madje mund të jenë shprehur dhe në rrjete sociale), por pikërisht për efekt të burimit dhe faktit që kemi punuar paralelisht, ne nuk po i përmendim këtu.
Thamë pak më parë që kemi vënë re probleme në formulime të pyetjeve. Një rast i tillë është pyetja e parë e cila thotë:
I.-Pyetja e parë: Cila nga alternativat e mëposhtme është një tezë e përshtatshme dhe efektive për një ese bindëse që lidhet me vullnetarizmin?
Duhet thënë se në procesin mësimor, (shih tekstin Albas, Medaprint, etj., si dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 1980), nxënësi merr termin “temë” për një ese dhe jo “tezë”. Ndërsa termi “tezë” i referohet një pjese të rëndësishme ndërtuese të një eseje argumentuese.
Gjithashtu, termi “bindës”, nuk lidhet me formatin e esese si mënyrë e të shkruarit, ai ka të bëjë me funksionin, pra në literaturën e marrë nxënësi nuk ka kund ese bindëse, por ese me funksion bindës.
II. Pyetja e dytë formulohet si më poshtë: “Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?”
Së pari duhet thënë se njësia “aksion” këtu ngjan më shumë me një huazim të panevojshëm të fjalës “veprim” (pjesërisht). Pyetja indukton, me sa kuptojmë ne një aksion=veprim i përshpejtuar, i vrullshëm, aktiv etj., ndërkohë që të paktën paragrafi që jepet nuk të lë përshtypjen e kuptimit të fjalës “aksion” që gjendet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (një veprim i menduar, i organizuar me një synim të caktuar: AKSION m.1. libr. Veprim i përqendruar për synime të caktuara; veprimi në një vepër dramatike. Aksione të përbashkëta. Aksione diplomatike. Aksioni i veprës (i pjesës). Hidheni në aksion. Zhvillohet aksioni.
2. usht. Veprim luftarak për t'i dhënë armikut një goditje të shpejtë dhe të papritur. Aksion i guximshëm. Aksionet e çetave partizane (e gueriljeve). Vendi i aksionit.
Bëj (kryej, përgatit) një aksion.)
Edhe sikur nxënësi ta perceptojë ashtu si do ai që ka shkruar pyetjen, ne gjykojmë se mund të përzgjidhnim dy alternativa:
-B (Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin....)
-D (Ndërkohë uji i ftohtë i lumit vazhdoi të përplasej në anë e barkës, duke i bërë qull Turin..)
E themi këtë, pasi të dyja janë në kontekstin e asaj gjendjeje të trazuar që lind papritmas dhe jo e organizuar, apo me një qëllim të caktuar, që mund të kërkohet në pyetje. Madje me një logjikë tjetër, alternativa D mund të paraprinte B-në në rrëfim.
(Duhet shtuar se edhe tekstet që e kalojnë masën e një fjalie duhet të kenë emrin e autorit ngjitur, pasi ato duhet të jenë tekste përfaqësuese. Të tilla kishte plot sivjet.).
III Pyetja e tretë shtron këtë pyetje: Mësuesi ju ka dhënë të shkruani një ese narrative në lidhje me një periudhë të jetës suaj, ku keni kapërcyer me sukses një vështirësi. Cila nga alternativat e mëposhtme është një hyrje e përshtatshme dhe efektive për një ese të tillë?
Duke pasur rezerva për termin narrativ, i cili në tekstet e përdorura sot në shkollë gjendet me sinonimin e tij rrëfyes, pra tekste rrëfyese, pohojmë se hyrjet në ese nuk diktohen nga mësuesi apo hartuesi i testit me formate të gatshme, aq më pak esetë rrëfyese, të cilat përfshijnë lloje të tekstit letrar në përgjithësi, që nuk ka pse të këtë pjesë kompozicioni shabllon. Njësitë përbërëse të tij i përkasin unit kompozicional të autorit. Kjo na thotë se të gjitha alternativat që hartuesi i tekstit jep, janë të përshtatshme për hyrjen e një eseje rrëfyese.
Megjithatë në lidhje me pyetjen konkrete gjykojmë se alternativa A (Shkolla është burimi i shumë vështirësive...) dhe C (Gjatë jetës sime jam përballur me shumë pengesa...) mund të jenë të përshtatshme të dyja.
IV-Pyetja katër: Lexoni këtë temë eseje: “Zgjidhni një grup të cilit i përkisni (qytet, shkollë, ekip) dhe shpjegoni pse përfshirja në të është e rëndësishme për ju”.
Tema e esesë është ndërtuar në mënyrë të cunguar, pasi fjalët në kllapa tregojnë: një njësi administrative, një njësi edukimi, dhe një njësi sportive, por jo komunitetin e këtyre njësive (mund të diskutohet ekip). E saktë do të ishte: Zgjidhni një grup të cilit i përkisni (komuniteti i qytetit, i shkollës, shokët e ekipit) dhe shpjegoni pse përfshirja në të është e rëndësishme për ju”.
Nëse u referohemi dy alternativave të para, mendojmë se aty është dhënë njëkohësisht edhe teza dhe antiteza [ A) Disa nxënës ankohen shumë për shkollën, por jo unë, pasi është e rëndësishme ta ndjek atë çdo ditë.; B) Disa njerëz nuk e konsiderojnë komunitet një qytet me këto përmasa, por njerëzit që jetojnë këtu e dinë vlerën e të qenit së bashku.].
Jemi të detyruar ta bëjmë këtë sqarim pikërisht për faktin se këto alternativa paraprihen nga kjo pyetje: Cila nga alternativat e mëposhtme është një tezë e përshtatshme për këtë ese?
Dhe nxënësi njësinë tezë e lidh me esenë argumentuese e elementet përbërëse të saj tezë /antitezë.
Në lidhje me përzgjedhjen e alternativës së saktë, ne mendojmë se të katër alternativat mund të zhvillohen në këtë ese. Pra të gjitha alternativat qëndrojnë.
V. Pyetjet tetë, nëntë, e pesëmbëdhjetë (kjo e fundit ka edhe probleme të tjera) kanë një lidhje shumë të vagullt me gjuhën. Nëse teksti do ishte me shtjellim, ato mund të përmbushnin aspektin vëzhgues dhe interpretimin nëpërmjet shkrimit, por në këto raste nuk kanë fare lidhje me formimin gjuhësor e letrar të nxënësit. Reklamat dhe ilustrimet janë elemente dytësore, që mund të trajtohen në teste që vlerësojnë aftësitë menaxhuese apo reklamuese, apo edhe kritikë arti, por asnjëherë nuk masin aftësitë në një test të gjuhës shqipe dhe letërsisë.
VI. Pyetja e dhjetë. Kur i referohet dy burimeve lidhur me fjalën muzikë në gjuhën gjuhën shqipe, a nuk do të ishte korrekte nga hartuesi i testit të citonte burimet nga janë marrë këto përkufizime? Kjo do të qartësonte dyshimet mbi mënyrën se si është dhënë sqarimi. Në fakt më sipër sqaruam që çdo tekst më shumë se një fjali duhet të këtë referencë, por ky e ka të domosdoshme, sepse fjalorë të tipave të ndryshëm kanë një metodologji specifike hartimi. Kjo mund ta ndihmojë nxënësin në përgjigje, se ai ka mësuar se si sqarohen kuptimet më së paku në një fjalor leksikor. E për këto njohuri që ka marrë po testohet.
VII. Pyetja e dymbëdhjetë. Cila nga fjalitë e tekstit të pyetjes 11 shpreh një fakt?
Sipas nesh janë dy alternativa shprehin një fakt:
A) Mungesa e salmonit në ujërat e oqeaneve tona është sinjal i një krizë;
D) Pesticidet dhe plehrat e përdorura në fusha thithen nga toka dhe përfundojnë në ujrat e planetit.
Nga ana tjetër, mendojmë se edhe si cilësi pyetjeje është jashtë kontekstit të ndërtimit të tekstit joletrar, i cili është përzgjedhur, madje është një informacion komplet periferik në kuadrin e specifikës së këtij provimi.
VIII. Pyetja e katërmbëdhjetë: Cila nga fjalitë e mëposhtme është shembull i një të dhëne të nënkuptuar?
Kjo pyetje kërkon testim konjitiv-pragmatik të nxënësit. Sipas nesh, të paktën dy alternativa sjellin një të dhënë të nënkuptuar. [Fëmijët shikojnë televizor më shumë, sesa mësojnë; C) Fëmijët nuk shpenzojnë shumë kohë, duke folur me prindërit e tyre. ]
IX. Pyetja e pesëmbëdhjetë jep një foto, ku jepet një alpiniste, duke ngjitur malin e cila shoqërohet me sqarimin: Fotoja e mëposhtme përcjell te shikuesi mesazhin...
Për të mos përsëritur vërejtjen për papërshtatshmërinë e një pyetjeje të tillë me llojin e provimit që po jepet po fokusohemi te mesazhet. Pohojmë se, nëse fotoja do ishte e qartë (krejt e turbullt), mund të thoshim se gruaja (apo vajza, apo zonja, apo gruaja në moshë, sepse nuk duket), mund të jetë duke sfiduar moshën e saj, pra kohën (me shi, ndoshta), por edhe duke sfiduar malin (të paktën kështu duket, aq sa duket). Kjo do të thotë se minimalisht mund të zgjedhim dy alternativa A (Njeriu në sfidë me moshën) dhe C (Njeriu në sfidë me natyrën), por edhe dy të tjerat mund të diskutohen.
X. Pyetja e nëntëmbëdhjetë: Në cilën nga fjalitë e mëposhtme fjalë ose togje fjalësh në përbërje të saj tregojnë burimin e kumtimit?
Kërkesa nuk dallon qartë nëse flitet për : burim kumtimi (pra diçka që kumtohet, që thuhet, një lajm) apo burim informacioni? Kjo pasohet nga tri alternativa krejt të ngjashme: nëse kërkohet burim kumtimi (KUMTIM m.1. Veprim sipas kuptimeve të foljeve KUMTOJ, KUMTOHET. Kumtimi i vendimit. Kumtimi i lajmit. 2. Njoftim a lajmërim që bëhet me gojë ose botohet në një gazetë, revistë etj.; komunikatë. Kumtim zyrtar.) atëherë te alternativa A, C dhe D burim kumtimi është Schultz, ndërsa nëse kërkohet burim informacioni është edhe Schultz, por edhe revista “Business Insider”. Pra pyetja nuk është ndërtuar qartë për ta specifikuar përgjigjen objektivisht.
Nuk mund të mos na bëjë përshtypje në kërkesë edhe sintagma togje fjalësh, e cila tashmë është zëvendësuar me grup fjalësh në tekstet parauniversitare (ose sintagmë në tekste universitare).
XI. Pyetja njëzet e një: Cila nga fjalitë është ndërtuar saktë sipas raporteve sintaksore të gjymtyrëve të saj?
Gjykojmë se tre alternativat e para janë me gabime, që kanë të bëjmë me marrëdhëniet sintaksore, kurse e katërta , meqenëse është përkthim ka një pikëpresje shumë të diskutueshme, e cila mund të shihet si gabim drejtshkrimor. Mund të diskutohet edhe shkrimi me të madhe i fjalisë në kllapa, si edhe emri i përveçëm, qe nuk është vënë i shqipëruar sipas standardit (Është e ngjashme me Gjeorgjinë (kjo e fundit është më e njohur; ka të njëjtën natyrë të stinës së verës, si edhe ushqim të mirë”,-shkruan Schultz.).
Pra të katër alternativat shfaqen me probleme edhe ajo që mendojmë se mund të jetë lënë si e saktë.
Po japim edhe alternativat e tjera gabim, sipas nesh:
A-Qyteti bregdetar i Sarandës me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike, janë renditur ndër 6 vendet që duhet të vizitohet tani...etj. kryefjala në numrin njëjës dhe kallëzuesi në shumës.
B-...duke shpjeguar se ndihet që Europa është bërë një lloj destinacionesh....etj-përdorimi gabuar i emrit në shumës.
C-Vende më pak të njohur- emri “vende” merr mbiemrin në gjininë femërore “të njohura”.
XII. Pyetja njëzet e dy edhe te varianti i saktë ka gabim drejtshkrimor, pasi mbiemri i njohur duhet të përshtatet me emrin ambigjen që kërkohet vende të njohura, jo vende të njohur.
XIII. Pyetja njëzet e katërt ka këtë kërkesë: Në fjalinë: “...në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare”, fjala me të zeza i referohet...
Nëse dallon se kush është me të zeza vë re se nga pikëpamja morfologjike janë dy fjalë dhe jo një fjalë, njëra është parafjala në dhe tjetra është përemri të. Pra edhe këtu kemi probleme në formulim e konceptim.
XIV. Pyetja njëzet e gjashtë thotë: Në cilën nga fjalitë e mëposhtme është përdorur folja kalimtare
Alternativat janë:
A-Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj.
b-Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar.
C-Fan Noli rri më vete në literaturën shqiptare.
D-Gjuha e tij mban erën e shëndoshë të dheut.
Nga analiza del se Alternativa A dhe D kanë folje kalimtare. Sqarojmë rastin e alternativës A që e dimë se do tëngjallë diskutime. Sipas Gramatikës I (Akademia e Shkencave, 2002) një folje është kalimtare, kur shoqërohet me një kundrinor të drejtë pa parafjalë, pa parafjalë, përdoret në formën veprore dhe joveprore (pasi do të marrë diatezë), dhe emërton një veprim që nuk mbetet te ai që e kryen po shkon e bie te një person a një vend tjetër. (f.265). Po këtu thuhet se foljet që marrin kundrinë të zhdrejtë pa parafjalë zënë një vend të ndërmjetëm, pasi veprimi këtu kalon të një kundrinor i zhdrejtë pa parafjalë. Për këtë arsye ato quhen foljen kalimtare të zhdrejta.
Në këtë alternative ne jemi pikërisht në këtë kontekst, pasi folja ka para kundrinë të zhdrejtë. Ajo që e thekson kalimtarësinë e kësaj foljeje të paktën nga ana formale është fakti se folja është në formën joveprore dhe shfaqet përgjithësisht si një folje në diatezën mesore. Ritheksojmë se, sipas kësaj gramatike, janë foljet kalimtare që përdoren në formë veprore dhe joveprore dhe marrin diatezë, kurse foljet jokalimtare dalin pa kundrinor dhe zakonisht në formën veprore e nuk marrin diatezë. Gjykojmë se këtu kemi të bëjmë me folje kalimtare.
Si përfundim edhe kjo pyetje ka dy alternativa të sakta.
XIV. Pyetja njëzet e nëntë. Në fjalinë :”Ai nuk është poeti i lartësive etnike, po është shkrimtari i plisit të dheut, prandaj Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore rri më vete në literaturën shqiptare.”, lidhëza e nënvizuar është...
Sipas Gramatikës I njësia prandaj del si ndajfolje (Sepse e ka përdorur kështu këtë armë të fusqishme, prandaj punën tonë nuk e ka zënë ndryshku. f.366) dhe si lidhëz bashkërenditëse përmbyllëse (Më erdhi rëndë ta shihja në sy, prandaj vështrova dallgën e rrëmbyer. f.406).
Ajo gjithsesi nuk përmendet te lidhëzat rrjedhimore, pavarësisht se dhe një nxënës i thjeshtë të paktën te fjalia ilustruese e lidhëzës përmbyllëse mund ta dallojë qartë veprimin e fjalisë dytë si rrjedhim i asaj të parës.
Nuk duam të diskutojmë këtu statusin dhe debatet që lindin po të shohësh këta dy shembuj, të cilët janë mjaft të diskutueshëm. Gramatika nuk jep një kriter të qartë e të njejtë për to (Kur është ndajfolje thotë zëvendësohet nga grupi për shkak, për arsye, ndërsa kur është lidhëz shikon raportet semantike përkatëse të cilat janë mjaft të diskutueshme dhe me rrjedhimin, i cili nuk përmendet fare.) Në këtë kontekst debati, e quajmë të papërshtatshme si pyetje për këtë nivel nxënësi e për këto probleme të pazgjidhura nga specialistët.
XV. Pyetja tridhjetë thotë: Funksioni i grupit të fjalëve të paraprira nga pjesorja në fjalinë: “Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj: lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut” është ai...
Mendojmë se kërkesa ka një problem konceptual. Njësitë që gjenden pas pjesores formojnë dy grupe me vlera të ndryshme, pavarësisht se janë rrethanorë të dyja, por të ndryshëm. Pra nuk duhet të ishte grupi i fjalëve, por grupet e fjalëve dhe kjo e shpërqendron nxënësin në përgjigje.
Fat i mirë për ta që rastësisht ranë rrethanorë të dyja grupet.
XVI. Pyetja pesëdhjetë e tre shtron këtë pyetje: Situata e përcjellë në këtë fragment është: dramatike apo heroike? Në fakt është dramatike, sepse po vdes një nga heronjtë e Athinës, por fryma është heroike në përputhje me frymën e eposit. Pra dhe këtu gjykojmë se mund të jenë dy alternativa që mund të zgjidhen.
XVII. Pyetja pesëdhjetë e katër shfaq përsëri fjalën “aksion”, por tashmë jo në kuptimin e pyetjes 2 . Këtu përdoret në kuptimin e emrit veprim dhe nuk përbën një term që gjendet ndonjë tekst të gjuhës shqipe të nivelit parauniversitar. Shto këtu dhe nuancat semantike të ndryshme që ka përdorimi i saj në dy pyetjet, që gjendet dhe mendoni se si mund të analizohet nga nxënësi.
Parashtrimi i dhënë më sipër në fakt është i pjesshëm në momentin, që nuk kemi të shpallur çelësin e përgjigjeve, që do të parashtronin mbase edhe diskutime të tjera (Urojmë që jo.).
Po kështu, në këto vërejtje nuk kemi përfshirë gabime shkencore që vijnë edhe nga referenca në Gramatikën e Akademisë së Shkencave. Rast klasik është pyetja 16 e cila kërkon titullin e tekstit mbi Sarandën pa përdorur një folje. Alternativa që besojmë është e saktë, sipas hartuesve të testit dhe materialit të marrë në tekstet parauniversitare për ne është gabim, pasi paskajoren nuk e konsideron formë foljore, meqenëse nuk merr kryefjalë (me një përjashtim).
Argumenti ynë në këtë rast (e jo vetëm i yni) është se ajo, paskajorja e standardit, formalisht nuk merr kryefjalë, pasi nuk ka paradigmë të zgjeruar (veç formën veprore dhe joveprore) dhe nuk ka vetë (Dihet përshtatja e kallëzuesit me kryefjalën në vetë e në numër.).
Po nga ana tjetër, paskajorja e standardit e jo vetëm marrin kundrina e rrethanorë e këto të fundit varen nga folja-kallëzues. (Mund të ishte: Saranda, qyteti për ta vizituar të gjithë ne menjëherë).
Po kështu, edhe varianti i saktë (Saranda, qyteti për t’u vizituar sa më parë) e ka këtë formë në formën joveprore dhe veprorja e joveprorja janë forma që merr folja, kur përdoret në diateza të ndryshme (Edhe koncepti i diatezës si kategori morfologjike tashmë është diskutuar si proces valence.).
Natyrisht kur hartohen teza të tilla oponenca mendojmë se duhet të jetë e specializuar që së paku të mënjanojë probleme të diskutueshme nga testi.
Në këtë material që paraqitëm me mjaft dashamirësi, duke u munduar që të jemi me aq mundësi sa kemi (mungesa e përgjigjeve dhe e testit të certifikuar) objektivë e me argumente, po në asnjë mënyrë arrogantë e kategorikë, jemi të ndërgjegjshëm se ka edhe çështje të tjera që mund të diskutohen, që kanë të bëjnë më ngjashmërinë me testin provë që është dhënë, përllogaritjen e kohës së përgjigjes dhe vështirësisë së deshifrimit e analizimit të kërkesave, llojit të pyetjeve dhe rëndësisë, apo përshtatshmërisë së tyre në lidhje me lëndën, si dhe cilësisë së pyetjeve që lidhen me analizën stilistikore të teksteve.
Ne këtë kontekst edhe ne jemi të ndërgjegjshëm se ka gjëra që mund të diskutohen në ndonjë nga vërejtjet tona, të cilat për fat të keq nuk janë një e dy. Megjithatë e rëndësishme mendojmë është që të jemi të hapur ndaj debatit dhe të mbyllur ndaj monopolizimit të procesit.
Viktimat në fund të fundit janë fëmijët tanë. Le të mos luajmë me emocionet e tyre. Kurrë nuk është vonë për këtë.
*Titulli redaksional
Titulli origjinal:Vështrim mbi testin e Gjuhës dhe Letërsisë së Maturës Shtetërore 2020