Foto ilustruese

Analiza e Fatos Çoçolit: Pallatet e vjetra nuk prishen, por meremetohen

6 Mars 2023, 10:04| Përditesimi: 6 Mars 2023, 10:20

  • Share

Nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 5 dekadave më parë. Ka evidentim të gjendjes së tyre, në mënyrë që aty ku është e domosdoshme, të kryhen ndërhyrjet e duhura, për t’i sjellë ndërtesat brenda standardeve të sigurisë teknike. Qeveria po harton një vendim të Këshillit të Ministrave(VKM) për kontrollin teknik të të gjitha objekteve, të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, qofshin private apo  publike.

Me të vërtetë, pavarësisht shqetësimeve të qytetarëve, të rritura nga disa media ditëve të fundit, nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 5 dekadave më parë, por qeveria po harton një Vendim të Këshillit të Ministrave(VKM) për kontrollin dhe auditimin teknik të të gjitha objekteve, të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, qofshin ato ndërtesa private apo  publike.

Kontroll fizik ndërtesave, jo prishje

Projektvendimi synon të rregullojë procedurat ligjore për një kontroll të gjendjes fizike të këtyre banesave, një pjesë të amortizuara nga koha dhe një pjesë të dobësuara në qëndrueshmërinë e tyre, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në katet e para dhe katet e dyta, të cilat në shumë raste janë bërë dyqane, restorante, etj. Nuk ka të dhëna zyrtare, por shoqata dhe institucione të studimeve ekonomike të shoqërisë civile flasin për një stok rreth 3 mijë ndërtesa banimi(pallate), që janë ndërtuat në vitet 50-70-të të shekullit të kaluar. Pra, kanë mbi 5 dekada jetë.

E vërteta e VKM për banesat mbi 50 vjeçare
Nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 5 dekadave më parë, por qeveria po harton një projektvendim për auditimin teknik, për të gjitha objektet të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, qofshin ato ndërtesa private apo  publike.
VKM synon të rregullojë procedurat ligjore për një auditim të gjendjes fizike dhe të qëndrueshmërisë sizmike të ndërtesave. Është një proces tërësisht ligjor, i nisur pas tërmetit të vitit 2019.
Nuk ka prishje ndërtesash, por evidentim të gjendjes së tyre, në mënyrë që aty ku është e domosdoshme, të kryhen ndërhyrjet e duhura, për t’i sjellë ndërtesat brenda standardeve të sigurisë teknike
Ky kontroll teknik ushtrohet në të gjitha vendet e Evropës për ndërtesat 5-7 dekada të vjetra

1678093601_Screenshot7.jpg

Harta e banesave të vjetra

Janë me qindra mijëra, qytetarët që banojnë në to sot, shumica të kthyer në pronarë të apartamenteve dhe një pjesë e vogël, që banojnë me qira. Këto banesa ndodhen në qytetet tona kryesore, si Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë, etj., por edhe në qytetet më të vogla. Janë afro 60 mijë apartamente në të gjithë vendin, si dhe me qindra ndërtesa shtetërore, që janë ndërtuar në vitet 50-70-të të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për një proces tërësisht ligjor, të nisur pas tërmetit të vitit 2019, me Ligjin nr. 120/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për Kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.

Sa banesa të vjetra mbi 5 dekada kemi?
Apartamentet e banimit në ndërtesat disakatëshe(pallate) të viteve 1960-1972 janë mbi 100 mijë(ose mbi 3 mijë pallate të tilla)
Ndodhen të shpërndara në Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan, etj.
Llogariten rreth gjysëm milionë shqiptarë, që banojnë në apartamente të ndodhura në ndërtesa të tilla
Vlera mesatare e tregut për apartamente të tilla, në vartësi të vendndodhjes dhe qytetit, lëviz nga 35-65 mijë euro. Në total, këto pallate  kanë një vlerë tregu rreth 325 milionë euro
Në tërësi, qytetarët që banojnë në këto pallate, në masën mbi 90 përqind, janë pronarë të tyre me dokumenta të rregullt hipotekarë

 

Procesi i dokumentimit të gjendjes së ndërtesave

Nuk do të ketë në asnjë rast prishje banesash, por evidentim të dokumentuar të gjendjes së tyre, në mënyrë që aty ku është e domosdoshme, të kryhen ndërhyrjet e duhura me fondet e Buxhetit të Shtetit, apo të bashkive(kur ndërhyrjet kanë kosto të vogël), për t’i sjellë ndërtesat brenda standardeve të sigurisë teknike.

Është në interesin e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këto godina 50-70 vjeçare, që të jenë plotësisht të sigurtë për qëndrueshmërinë e ndërtesës ku banojnë. Nëse objekti nuk garanton plotësisht jetën e qytetarëve, në rast goditjesh nga tërmeti, qeveria dhe shteti kanë detyrimin për të ndërhyrë dhe sjellë atë në normat sizmike të sigurisë.

Qeveria e ka marrë këtë angazhim 2 muaj pas tërmetit të 2019-ës, në janar 2020, kur deklaroi se me përfundimin e procesit të rindërtimit, do të nisë procesi i kontrollit dhe auditimit, që të minimizohen dhe të evitohen plotësisht humbjet jetësore dhe dëmet materiale, nëse, mos e dhëntë Zoti, do të kemi goditje të reja nga tërmetet. Kuvendi më vonë e shndërroi këtë angazhim në ligj.  

Po çfarë do të ndodhë konkretisht?  Të gjitha objektet që kanë një moshë mbi gjysmë shekullore, do t’i nënshtrohen një kontrolli dhe auditimi teknik, nga nje grup i specializuar, i ngritur nga pushteti vendor(bashkitë). Në bazë të raportit të kontrollit teknik, i cili do të çertifikohet për vërtetësinë dhe cilësinë e tij nga një grup tjetër ekspertësh nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse merr vendim për të ndërhyrë ose jo. Në rastet kur vendimi merret që mbi objekt të ndërhyhet për ta sjellë në normat e duhura teknike të qëndrueshmërisë së tij, në vartësi nga kosto e ndërhyrjes, meremetimin e përballon fondi nga bashkia(kur është mangësi e vogël), ose fondi nga buxheti qendror i Shtetit, për rastet kur ndërhyrja korrigjuese dhe meremetuese është e konsiderueshme. Por sërisht, në asnjë rast nuk do të ketë prishje të objektit privat apo shtetëror. Vetëm sjellje të tij në normat(standardet) e duhura teknike të qëndrueshmërisë.

Propozim: siguri për transparencën

Një procedurë e tillë ndiqet rëndom nga shtetet tona fqinje me rrezik nga tërmetet, si Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, etj. Kjo procedurë e kontrollit të ndërtesave më të vjetra vlen në të gjitha vendet e botës, me rrezik të lartë sizmik. Në Itali, auditimet teknike të qëndrueshmërisë zhvillohen për ndërtesa mbi 60 vjeçare dhe çertifikimi realizohet nga bashkitë dhe komunat, në bashkëpunim me Institutit Italian shtetëror për Teknologjitë e Ndërtimit(http://www.diitet.cnr.it/en/istituti/itc-istituto-per-le-tecnologie-della-costruzione/).

Çdo vit, në Itali janë me dhjetra mijëra ndërtesa që i nënshtrohen këtij auditimi. Për shembull, ndërtesat e vitit 1964 do të kontrollohen gjatë këtij viti, pasi kanë mbushur moshën 60 vjeçare. Ky është një proces që ndodh në të gjitha vendet e botës, me rrezik të lartë sizmik.

Mirëpo tek ne, duke mos e njohur procesin, janë ngritur vërtik teoritë e konspiracionit. Prandaj dhe ia vlen që VKM e qeverisë të përmbajë:

Çfarë duhet të përmbajë VKM?
VKM duhet të saktësojë:
Përbërjen e ekipit vlerësues/auditues të bashkisë
Mënyrën e çertifikimit të vlerësimit të bashkisë nga Instituti i Ndërtimit
Fondet për punën autituese të bashkisë dhe punën çertifikuese të Institutit të Ndërtimit
Emrat e ekspertëve-çertifikues të Institutit të Ndërtimit të bëhen publikë
Deri në ç’shumë mund të përballojë bashkia ndërhyrjet e domosdoshme përmirësuese mbi pallat
Deri në ç’shumë mund të përballojë Ministria e Infrastrukturës ndërhyrjet e domosdoshme përmirësuese mbi pallat
Vendimi mbi vlerësimin e çdo pallati ose ndërtese publike të vjetër mbi 5 dekada, të bëhet publik

Asnjë qytetar nuk ka pse të shqetësohet
Tek ne, shteti nuk e di se në çfarë gjendje fizike ndodhen ndertesat private dhe shteterore mbi 50 vjeç. Ka mjaft ankesa të qytetareve, që nuk kanë siguri ne banesat e tyre, si rezultat i ndërhyrjeve te paautorizuara, në katet e para të pallateve. Edhe pse në të gjitha vendet me rrezik të lartë sizmik, ky proces njihet gjerësisht, ai është i panjohur për një pjesë të madhe te administratës sone publike. Ka patur mjaft ndërhyrje nga përdorues të paautorizuar, në katet e poshtme të banesave të vjetra mbi 5 dekada, edhe mbi mure mbajtëse. Të gjitha ndërtesat mbi 50 vjeç, tek ne është e domosdoshme të kontrollohen për standardet e sigurisë së tyre teknike. Është detyrë e qeverise në nivel vendor dhe qendror, që të sigurohet se ndërtesat janë brenda standardeve të kërkuara. Procesi i meremetimit të mangesive në ndërtesat private dhe shtetërore mbi 50 vjeçare, do të kryhet nga bashkia e qytetit dhe do të jetë i rregulluar i gjithi me akte normative ligjore, ku përgjegjës do të jenë administratorët e pallateve. Në tërësi, auditimi teknik për qëndrueshmërinë, i ndërtesave të vjetra mbi 5 ose 7 dekada, zhvillohet rregullisht në të gjithe vendet e Evropës të rrezikuara nga tërmetet, nga njësi te qëverisjes vendore të këtyre vendeve, të çertifikuara nga institucione të specializuara të vendeve përkatëse.

 

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 06/03/2023 10:55

    Kush janè "ekspertèt" e bashkive qè do japin ekspertizat e tyre pèr gjèndjen e pallatave 50 vjeçare? Janè tè njèjtèt qè kanè 35 vjet qè pèrçudnojnè qendrat urbane tè Shqipèrisè, me vendimet e tyre tè korruptuara? Kur janè pèrgjigjur para ligjit kèta "ekspertè" pèr pallatet e ndèrtuara me "ekspertizat" e tyre mè parè, qè kishin aq shumè shkelje saqè njè dridhje relativisht e vogèl e tokès, i çau nè mes si shalqinjtè e Lushnjès dhe taksapaguesi shqiptar, edhe ashtu i cfilitur boll, iu desh tè mbajè mbi kurriz shumat marramendèse tè borxhit shtetèror? Gjèndja kortuptive, èshtè e njèjtè edhe me bashkinè e Tiranès. Korrupsion i gjallè. Nè qendrèn e kryeqytetit, jo shumè metra nga ato kullat idiote pa kuptim qè po ndèrtohen pranè 15 katshit, ka pallate tè ndèrtuara nè kohèn e monizmit. 1 apo 2 prej tyre,,deklarohen gjoja si tè prekura nga lèkundjet sizmike dhe marrin investime deri nè fasada izoluese siç duheshe bèrè nè fakt pèr çdo pallat tè asaj kohe,,,mirèpo shqiptarèt vazhdojnè atè lojèn e KUNATIT TÈ SHOKUT XHEMAL. Pra, Shqipèria me bashkitè e saj, nuk ka nevojè pèr ekspertiza tè korruptuarish por njè program investimi gjithè pèrfshirès, ku qytetari mban natyrisht edhe barrèn qè duhet tè mbante. Çdo gjè tjetèr, èshtè vazhdim i hajdutèrisè.!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?