Jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, rezultati i 11 majit tregoi se koalicioni mes Partisë Demokratike dhe mbi 20 partive të tjera qe një kontratë e nënshtruar pa dobi për demokratët të cilëve iu desh të spostoheshin e të hidheshin në betejën e listave të hapura për t’i liruar mandate të sigurta, jo pak, por 8 emrave nga radhët e aleatëve.
Rezultati i dobët dhe tkurrja e partisë më të madhe opozitare, nuk u ndihmua dot as nga votat e koalicionit, pasi prej aleatëve, Sali Berishës, ndonëse kishte parashikuar 1/3 e votave, në të gjithë vendin nuk i kanë ardhur më shumë sesa rreth 60000 vota që nuk bëjnë dot as 6 mandate deputeti ose në total rreth 1/9 e votave që ka marrë PD.
Partia e Lirisë i solli koalicionit rreth 26 mijë e 700 vota, duke arritur kështu të justifikojë vetëm 2 nga 4 mandatet e sigurta që mori nga Partia Demokratike.
Mes këtij grushti votash, kontribuesi më i madh duket të jetë Partia Agrare e Agron Dukës, që e sakrifikoi veten me vetëm 1 kandidat në listë të sigurt, Artan Lukun, tashmë deputet i Durrësit. Në këmbim të këtij deputeti, Agron Duka solli 22 mijë e 660 vota, përmes 9 kandidatëve në listë të hapur.
Shpëtim Idrizi, që kur firmosi koalicionin me PD pretendoi deri në fund 2 mandate të sigurta deputeti, nuk i ka sjellë koalicionit me kandidiatët e regjistruar në siglën e PDIU-së as gjysmën e votave të një mandati. Me Mesila Dodën deputete të sigurt, përmes kandidatëve në listë të hapur, përfshirë dhe veten, Idrizi solli vetëm 4 mijë vota.
Vendin e sigurt në parlament, nuk e kanë justifikuar dot as votat e PBDNJ së Vangjel Dules dhe Partisë Republikane të cilët hodhën në garën e hapur kandidatët Gjikuria e Jahelezi, por që nuk kapën dot as nga 4 mijë vota.
Nën siglën e tyre, rezultojnë në listat zyrtare të KQZ edhe kandidatë të tjerë, por që në fakt vijnë nga radhët e demokratëve. Kjo manovër është bërë që kur të përllogariten fondet, partitë e vogla aleate të jenë përfituese.
Komente
