Çmimi mesatar i banesave në gjysmën e parë të vitit të kaluar ishte mesatarisht 1128 euro për m2 për Tiranën, 837 euro për m2 për zonat bregdetare dhe 724 euro për m2 në zonat e brendshme të vendit.
Një material kërkimor i përgatitur nga specialisti i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Orion Garo, merr në vlerësim dinamikën e çmimeve të banesave për periudhën nga janari 2017 deri në qershor 2022, bazuar në çmimet e listuara në një nga portalet kryesore të publikimit të njoftimeve për Shqipërinë, njoftime.com.
Madhësia e kampionit përbëhet nga 30,467 njoftime, që u referohen vetëm banesave, pa përfshirë në analizë pronat për qëllime tregtare.
Transaksionet e listuara janë ndarë në tre zona kryesore për qëllime të vlerësimit të çmimeve, në zonën e Tiranës, Bregdetit dhe zonave të brendshme të vendit. Megjithatë, kampioni i të dhënave dominohet dukshëm nga zona e Tiranës, me 86% të transaksioneve të listuara, e ndjekur nga Bregdeti, me 9% dhe zonat e tjera të vendit me vetëm 5%.
Analiza e të dhënave konfirmon se çmimet janë rritur me ritme të shpejta, sidomos pas pandemisë. Krahasuar me gjysmën e parë të 2021, rritja e mesatareve të çmimeve për Tiranën ishte 15.6%, për Bregdetin ishte 9.6%, dhe për zonat e brendshme ishte 18.3%.
Kjo tregon se rritja më e shpejtë e çmimeve ka ardhur në zonat jashtë Tiranës dhe Bregdetit, ku edhe kërkesa është më e përqendruar.
Megjithatë, analiza e të dhënave ka treguar se në fakt çmimet në zonat e tjera të vendit kanë qenë të pandryshuara për periudhën nga viti 2017 deri në mesin e vitit 2020, kur cikli i përgjithshëm i rritjes së çmimeve është reflektuar edhe në këto zona, duke sjellë një rritje më të fortë, por nga një bazë më e ulët.
Analiza e të dhënave tregoi gjithashtu se tregu i pasurive të paluajtshme mori një goditje të përkohshme në gjysmën e dytë të vitit 2019, periudhë që përkon me tërmetet e forta që goditën vendin. Sipas analizës, efekti më i fortë është ndjerë pikërisht në zonën e Bregdetit, që rezultoi edhe më e goditura nga pasojat e tërmetit.
Rezultatet e studimit tregojnë një hendek të konsiderueshëm mes çmimeve të pronave në Tiranë, krahasuar me pronat në Bregdet dhe zonat e tjera të vendit. Çmimi mesatar i një banese në Tiranë ka një hendek prej 35% me zonat bregdetare dhe me rreth 56% me mesataren e zonave të tjera të vendit.
Studimi konfirmon tendencat e konstatuara në tregun e pasurive të paluajtshme edhe nga vlerësime të tjera, me një rritje të shpejtë të çmimeve të banesave në periudhën pas pandemisë.
Megjithatë, të dhënat më të reja të Bankës së Shqipërisë treguan se çmimet e banesave në gjysmën e dytë të vitit pësuan rënie krahasuar me 6-mujorin e parë.
Në veçanti për Tiranën, indeksi i çmimeve ruajti ritmet e rritjes vjetore, me 13.9%, por me bazë gjashtëmujore pësoi edhe një rënie më të thellë, me 11.4% më pak.
Në shumicën e vendeve, rritja e shpejtë e normave të interesit që nisi në vitin 2022 ka sjellë ngadalësim të shpejtë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Të dhënat e fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) treguan se çmimet e banesave (të përshtatura me inflacionin) në tremujorin e fundit pësuan rënie për dy të tretat e vendeve për të cilat kjo organizatë përpunon dhe publikon të dhëna.
Në Shqipëri, kjo tendencë duhet ende të konfirmohet, edhe për shkak të mungesës së të dhënave të konsoliduara dhe të përditësuara lidhur me tendencat e çmimeve të pronave./Monitor