Një nga temat e analizuara në panelin e ‘Repolitix’ mbrëmjen e sotme, katër ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2026, ishte edhe ajo e kaosit me biletat, si dhe çmimet e kripura të tyre në tregun e zi.
Gazetari Andi Kapxhiu shpjegoi detajet nga skema e re dhe masat e sigurisë së FSHF-së me procesin e shortimit, aplikimit dhe goditjes së fenomenit të tregut të zi.
“Tani nuk mund ta shesësh lehtë një biletë në tregun e zi. Biletat janë të personalizuara, ai që bën aplikimin do japë edhe emrin e personit që do pajiset me biletë kur bënë procesin e pagesës. Nga 15-30 maj ishte faza e aplikimit në sistem, u zgjat edhe për disa ditë dhe tani mbyllet ky proces për të vijuar me e-mailin për fituesit dhe më tej fazën e pagesës. Nëse unë aplikoj për 4 bileta dhe më jepen dy, pasi me vjen e-maili do plotësoj emrat e personave që do pajisen me këto dy bileta. Koha është 8 orë dhe vetëm gjatë këtyre 8 orëve mund të ndodhë që ti ta shesësh këtë biletë në tregun e zi, jashtë këtij afati apo para tij nuk ke asnjë mundësi. Në momentin që do bësh pagesën, jep edhe emrat e personave dhe më pas me kartë identiteti e biletë do shkosh në stadium, asnjë person tjetër që s’e ka emrin në biletë, nuk hyn dot”, shpjegoi gazetari i Report Tv.
Edhe të pranishmit e tjerë i qëndruan kësaj skeme, edhe pse vetë FSHF nuk ka dhënë sqarime zyrtare se si do funksionojë apo si goditet tregu i zi.
Eksperti i futbollit Artan Shyti, tha:
“Mundësia për ta shitur në tregun e zi me këtë skemë, është vetëm gjatë 8 orarëshit të afatit që FSHF të lë për të bërë pagesën, ku ti e shet tek personi dhe i çon me link emrin e tij, nuk ka asnjë hapësirë tjetër. Pra i duhet thënë tifozëve dhe sqaruar se nuk mund të hyjnë më në stadium me një biletë të blerë në tregun e zi, nëse emri i tyre nuk është i regjistruar si blerës”.
Edhe gazetari Tami Koma theksoi praktikat e UEFA, ku ndiqet deri gjurmimi i biletës që shitet online.
“Kjo skemë që është bërë këtu tek ne tani, me personalizimin e biletës, është edhe një shkallë më tej”, tha ai.
Kurse ish-zv/ministri Ekrem Spahia vuri theksin te mungesa e transparencës nga ana e FSHF-së, e cila refuzon edhe të bëhet pjesë e paneleve për të sqaruar situata të ngjashme ndaj publikut.
Ai i bëri thirrje FSHF-së dhe Qeverisë që gjithashtu të ngrejë të paktën 4 pika Fan-Zone për tifozët ditën e ndeshjes me Serbinë, si një tjetër faktor motivues për kombëtaren.
Lajmi kryesor:
Report Tv/ Ndeshja Shqipëri-Serbi, ‘deja vu’ një dekadë më pas? Nga dhuna e Beogradit, te rikthimi pa tifozë serbë! Flasin analistët
A.Q/r.k./ReportTv.al
