Tirana

Politikë

Intervista për Deutsche Welle e analistit gjerman: Politika në Shqipëri e Ballkan, biznes në vend të programit e ideologjisë

17 Prill 2021, 10:28| Përditesimi: 17 Prill 2021, 10:35

  • Share

Zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri nuk do t'i zgjidhin problemet që ka vendi. Sipas analistit gjerman, Thomas Brey, ato janë të thella e lidhen me sistemin klientelist që kanë krijuar partitë në Shqipëri apo në Ballkan.

Këto janë zgjedhje në kohë pandemie, nuk e kemi atë fushatë me mitingje të mëdha dhe altoporlantë, ajo ka kaluar më shumë në TV dhe media sociale. Çfarë efekti ka kjo “ftohje tonesh”, apo e krijon media sociale një situatë, ku ai që di t’i shërbejë më mirë këto media, merr më shumë vota dhe jo programi më bindës?

Problemi që kanë mediat sociale është, se ato gjithmonë u japin një hov pozicioneve dhe një gjuhe më ekstreme. Kjo është një fushatë e veçantë sigurisht për shkak të Koronës, por unë nuk besoj se një fushatë e tillë në kohë pandemie do të ndikonte në ngritjen e një ure mes fronteve të kundërta apo që do të qetësonte të pakënaqurit.

Retorika politike edhe në këtë fushatë është e përcaktuar nga fyerja e kundërshtarit politik, dhe jo si debat argumentesh. Pse politika shqiptare nuk ia del dot, 30 vjet pas ndryshimit, të zhvillojë, le të themi në rastin më të mirë, një gjuhë, si në Gjermani, ku fyerja e rivalit politik është një “NoGo” dhe përballja zhvillohet me argumente. Apo në Ballkan preferohet më shumë teatraliteti?

Mendoj se situata në Shqipëri është tipike edhe për vende të tjera të Ballkanit. Ajo që shohim, madje edhe në vende anëtare të BE, si Kroacia e Sllovenia, deri në Maqedoninë e Veriut, është se kemi dy kampe të mëdha politike të armiqësuara, që i lëshohen me një gjuhë urrejtjeje njëri-tjetrit. Mungon kultura politike, përdoret degradimi i kundërshtarit politik, eliminimi si kundërshtar, madje ndoshta edhe sulmi fizik ndaj tij. Këto janë gjëra që nuk përfytyrohen dot në Evropën Perëndimore.

Dhe kjo kulturë politike mungon, sepse politika në vendet e Ballkanit është një biznes, ti mund të bëhesh dikush si person dhe të ecësh përpara me oportunizëm kur hyn në politikë. Kush dëshiron të bëhet dikush edhe në profesion në këto vende duhet të arranzhohet me të fuqishmit e t’i mbështesë ata. Por ky nuk është problem tipik i Shqipërisë, por e ndesh kudo në Ballkan.

E kur do të vijë dita e një kulture të tillë politike si në Evropën Perëndimore?

Kriminaliteti, korrupsioni, frikësimi i mediave dhe i drejtësisë, e sidomos liderë politikë të plotfuqishëm, shikoni Serbinë me Vuçiçin që sundon plotësisht, apo Edi Ramën në Shqipëri, këto janë probleme që duhen zgjidhur për të krijuar një kulturë politike si duhet, por një kulturë e tillë debati duhet menduar në plan afatmesëm. Këtu luan rol të rëndësishëm arsimimi, mënyra e edukimit nga mësuesit, duhen ndryshuar kurrikulat në shkolla, mediat duhet të krijojnë një kundër-opinion, duhet investuar në përgatitjen e gazetarëve, duhet shkëmbimi rinor me Evropën Perëndimore, që rinia ta kuptojë, që nuk ka pse të jetë si modelet në vendin e vet.

Fushata aktuale po përqendrohet më shumë tek individi se tek programi politik. A është më e lehtë në shoqëritë postdiktatoriale t’ua marrësh mendjen njerëzve me kultin e të fortit dhe atij që imponohet, pa parë se sa bindëse janë përmbajtjet?

Absolutisht! Vihen re dy gjëra, jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera të Ballkanit. Lideri i fortë. Të gjitha sondazhet tregojnë madje se edhe të rinjtë duan një lider të fortë kombëtar, që ta ndjekin. Ky është problem i madh, pasi ky lider i fortë që jep drejtimin në gjithçka, kthehet gati si në një zot, që vendos me gishti lart apo poshtë. Sistemi klientelist kudo në Evropën Juglindore funksionon kështu. Në krye “lideri” sundues që vetëm formalisht zgjidhet nga baza, sepse ai e ka kapur me luftë pozicionin e tij. Ky “lider” vë besnikët e tij në pika të rëndësishme, në ekonomi, në media e drejtësi.

Ata mund të bëjnë bizneset e tyre private të korruptuara, por duhet t’i mbeten absolutisht besnik “liderit” e të kujdesen që sistemi klientelist të forcohet. Me mbështetje në para për partinë, me mbështetje mediatike apo “zbrapsjen” e atyre që mendojnë ndryshe, nëse ata i drejtohen drejtësisë. Kjo zhbën programet e partisë dhe ideologjinë e një partie, këto nuk luajnë më ndonjë rol, dhe gjithçka reduktohet në biznes. Nëse flitet për taksën e sheshtë, infrastrukturën apo librat falas – këto janë vetëm fjalë, hedhje hi syve për të fshehur parimet e vërteta të sundimit.

Vitet e fundit në Shqipëri ishin mjaft turbulente. Partitë akuzonin njëra-tjetrën për lidhje me klanet e krimit, opozita ngriti zërin kundër qeverisë për këto lidhje me krimin dhe blerjen e votave, pati publikime përgjimesh, protesta.

Një reformë e ligjit zgjedhor synon të pengojë shitblerjen e votës dhe të mbajë larg nga parlamenti individët me të shkuar kriminale. A besoni se kjo do të sjellë ndryshimin, një Shqipëri pa shitblerje vote në zgjedhje?

Mendoj se ligji i ri zgjedhor është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Problemi është a do të implementohet ky ligj zgjedhor. Kam frikë se problemi i blerjes së votës në të gjitha vendet e rajonit është pjesë integrale e sistemit. Që do të thotë, se vetë njerëzit e kanë bërë të vetën këtë, dhe nuk do thonë menjëherë, ok e kuptoj, kjo nuk bëhet, se është jodemokratike, kriminale e ilegale, dhe do ta ndryshojmë sjelljen tonë. Do të binte ndesh me përvojën njerëzore, që na kujton, se ajo që është bërë për vite e dekada, nuk lihet menjëherë mënjanë, prandaj nuk më duket realiste.

Ekonomia është një temë qendrore në fushatë, opozita ka bërë pjesë të fushatës ndalimin e brain-drain dhe mbajtjen e të rinjve në vend. Kurse zërat të tjerë nga pozita thonë, se me rrogat që ofrohen në vend dhe duke patur Gjermaninë një orë larg e njerëzit shohin dallimin sa fitojnë, vështirë se mund t’i mbash dot njerëzit A është ky vetëm një problem rrogash?

Nuk e besoj, megjithëse arsyet ekonomike qëndrojnë në plan të parë, kjo është e vërtetë. Këta qindra mijëra njerëz që largohen, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera, Serbia, madje edhe Kroacia si vend anëtar në lindje po shpopullohet, pa harruar Bosnjen. Të rinjtë e kualifikuar emigrojnë, sepse nuk shohin perspektivë.

Mund të them duzina shembujsh nga përvoja personale, ku të rinjtë thonë, unë do të qëndroja me dëshirë, natyrisht, por nuk shoh shans për jetën time këtu, sepse politika këtu sundon gjithçka, sepse zëri i ekspertit nuk dëgjohet, sepse gjithçka kalon përmes lidhjeve dhe korrupsionit.

Natyrisht edhe pse rrogat janë të ulta. Por rrogat nuk duhet të mbesin patjetër kështu, ato mund të zhvillohen, nëse ekonomia ecën. Politikanëve që sundojnë gjithçka u shkon për shtat një emigrim i tillë. Sepse ata që largohen, të rinj të mirëkualifikuar, janë zëra kritikë, që nuk e pranojnë gjendjen politike si është, e kur ata ikin, është më mirë për këta politikanë.

Pavarësisht premtimeve elektorale, dhe simpative politike që kanë qytetarët, vihet re një mungesë besimi, kjo tek çdo forcë politike. Për të marrë një vend duhet të jesh militant ose të paguash, thuhet në vend, nuk ka rëndësi kush fiton. Pse është kaq e thellë kjo mungesë besimi?

Duhet të hedhim një vështrim në histori për këtë. Në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë ka një traditë shekullore që populli, “raja” (vegjëlia, shën red.), pra masa nuk e sheh veten të përfaqësuar nga politikanët drejtues, le të themi më mirë pushtembajtësit, e ka një kundërshti të natyrshme mes popullsisë në tërësi dhe pushtetmbajtësve.

Le të marrim një shembull doli një ligj i ri, nuk bëhet fjalë ta zbatojmë këtë ligj, por hero është ai që ia del të gjejë boshllëqet e ligjit për ta anashkaluar, për t’ua hedhur atyre atje lart, për t’i luftuar me armët e tyre. Shikoni njerëzit që vijnë nga vendet e Ballkanit në Gjermani, si rregull ata janë punëtorë të mirë dhe korrektë. Ata respektojnë rregullat, janë të disiplinuar dhe gati nuk dallojnë aspak nga kolegët e tyre gjermanë. Por sapo ata kthehen në shtëpi, ndodh diçka me ta, sikur diçka bën “klik”, nuk i respektojnë më rregullat po duan t’u ikin atyre. Kjo është çështje mentaliteti.

Edhe diçka mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, a do të jenë këto zgjedhjet që do t’i japin fund periudhës së gjatë të zgjedhjeve të kontestuara në Shqipëri, pra që vendi të tregojë, se është i aftë për zgjedhje normale, e me këtë të përfundimisht të hapet rruga për Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE?

Kjo është çështja më e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve. Nëse këto zgjedhje pak a shumë zhvillohen si duhet, po them pak a shumë, dhe vëzhguesit e OSBE nuk shohin manipulime të mëdha, duke lënë mënjanë ato defeket e vogla, ky do të ishte një hap në drejtimin e duhur drejt një jete politike më normale në Shqipëri. Megjithatë pavarësisht rezultatit nuk besoj në ndërrimin e kulturës politike menjëherë. Nuk besoj se problemet do të zgjidhen pavarësisht kush fiton, por një ecuri e rregullt e zgjedhjeve do të jetë për vendin një hap përpara.

Dr. Thomas Brey është docent në disa universitete gjermane për shkencat politike dhe gazetarinë. Si analist politik ai ka drejtuar për vite zyrën e agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, për Evropën Juglindore/ Marrë nga Deutsche Welle

Thomas Brey

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/04/2021 03:02

    Analize e sakte,por nuk mendoj qe keto probleme i ka vetem Ballkani dhe mendesia e tij prej turkoshaku.Para disa muajsh,ndoshta nje viti,lexova nje artikull-analize tek MSN qe fliste per problemet qe kishin dale pas bashkimit te RDGJ me RFGJ.Te dy shtetet u bashkuan,por te ardhura nga regjime,ekonomi,edukim,mendesi te ndryshme,me pritshmeri e shpresa te ndryshme,kuptohet qe dhe pasojat e bashkimit ishin te ndryshme.Duket qe gjermano-lindoret kishin te njejtat pritshmeri dhe te njejtin zhgenjim nga demokracia 30-vjecare ,lideret e tyre,ashtu si shqipot kane tani.Edhe ata mendonin se trajtimi qe behej nga Berlini ishte pak a shume si Italia e veriut me te jugut.

    Përgjigju
  • One: 17/04/2021 10:54

    Analize shume e mire dhe realiste. Shkembimi i eksperiencave me te rinjte eshte shume e mire por, te rinjte kur te shohin modelin perendimor me shume mundesi do e kene te veshtire ta pranojne realitetin shqipetar dhe ka shume mundesi te kerkojne te jetojne ne perendim. Ose, te rinjte qe cohen per shkembim do jene nga freshi, frd apo lri dhe do kthehen pa asnje lloj ndikimi. Por eshte e vertete qe ky eshte problem kulture sesa i disa lidereve te mbrapsht.

    Përgjigju
  • Turi: 17/04/2021 10:54

    Ky eshte realiteti partite politike nuk kane shtruar asnje lloj programi por vetem si te godasin kundershtaret , vend i mbaruar me politikane bastarde te niveleve te larta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?