Kryeprokurori i Fierit, Elion Mustafaj

Kronikë

Analiza për vitin 2024, kryeprokurori i Fierit: Ndoqëm dhe trajtuam 4528 procedime penale, mes tyre 1 deputet! Larg arritjes së objektivave për shkak të mungesës së organikës

20 Maj, 15:01| Përditesimi: 20 Maj, 15:13

  • Share

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka zhvilluar sot analizën vjetore për vitin 2024. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Prokurorisë, të Drejtorisë Vendore të Policisë, kryeprokurori Elion Mustafaj, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Isa Jata, dhe Erion Fejzulla, përfaqësues i KLP.

Në fjalën e tij, kryeprokurori Elion Mustafaj theksoi se në fokusin e punës përgjatë këtij viti ka qenë trajtimi me përparësi i veprave penale problematike që shqetësojnë komunitetin e Qarkut Fier.

Për rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2024, puna është fokusuar te veprat penale kundër jetës e shëndetit, veprat penale kundër pasurisë, veprat penale kundër dhunës në familje dhe të miturve, veprat penale kundër trafiqeve të paligjshme dhe narkotikëve, veprat penale kundër mjedisit, kundër lojërave të fatit etj. Për sa i përket ngarkesës së Prokurorisë për vitin 2024, kanë qenë në ndjekje dhe janë trajtuar 4528 procedime penale, 2086 janë regjistruar në vitin 2024, ndërsa 2428 të mbartura nga vitet e kaluara. Gjithashtu, në fjalën e tij, Mustafaj theksoi se gjatë këtij viti janë sekuestruar 6 milionë euro pasuri, si dhe është regjistruar një procedim penal për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë ( Bujar Çela në Lushnjë) dhe 6 persona të tjerë në hetim për veprat penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”, “shpërdorim i detyrës” etj., me dy viktima persona të vdekur.

Mustafaj ka theksuar në fjalën e tij se Prokuroria Fier është larg pritshmërive për arritjen e objektivave për shkak të mungesës së organikës. Në vitin 2024, Prokuroria Fier ka pasur të miratuar në strukturën organike 64 punonjës dhe ka vazhduar të funksionojë me organikë jo të plotë, kryesisht për shkak të mungesës së prokurorëve, si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar “veting” dhe dinamikave që ka sjellë reforma në drejtësi, ndërkohë që një kërkesë parësore mbetet edhe një godinë e re për institucionin e Prokurorisë.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?