Ushtar i NATO në veri të Kosovës

Analiza/ Përse vazhdojnë tensionet Kosovë-Serbi?

31 Maj 2023, 10:43| Përditesimi: 31 Maj 2023, 10:45

  • Share

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës u ndezën sërish këtë javë pasi policia e Kosovës bastisi zonat e dominuara nga serbët në veri të vendit dhe konfiskoi ndërtesat e komunave lokale. Ka pasur përleshje të dhunshme ndërmjet policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO-ja në njërën anë dhe serbëve vendas nga ana tjetër, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët.

Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të trupave të saj të vendosura pranë kufirit dhe paralajmëroi se nuk do të qëndrojë duarkryq nëse serbët në Kosovë do të sulmoheshin përsëri. Situata ka nxitur sërish frikën për një ripërtëritje të konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë, që mori më shumë se 10,000 jetë dhe la më shumë se 1 milion të pastrehë.

SI REAGUAN ALEATËT E SERBISË?

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në zemër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës, në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim (ndërkombëtar) të imagjinueshëm”, tha ai, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.

Kina tha se po ndjek nga afër zhvillimet. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Nin i kërkoi NATO-s të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial "të vendeve përkatëse dhe të bëjë atë që është vërtetë e favorshme për paqen rajonale".

ÇFARË E SHKAKTOI PËRPLASJEN E FUNDIT?

Serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të muajit të kaluar të mbajtura në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën. Të premten e kaluar, kryebashkiakët e sapozgjedhur shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre me ndihmën e policisë së Kosovës. Serbët u përpoqën t'i pengonin ata të merrnin objektin, por policia hodhi gaz lotsjellës për t'i shpërndarë.

Të hënën, serbët u përfshinë në përleshje të ashpra me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë të plagosur më shumë se 50 rebelë dhe 30 trupa ndërkombëtare. Bojkoti i zgjedhjeve pasoi një dorëheqje kolektive të zyrtarëve serbë nga zona, duke përfshirë stafin administrativ, gjyqtarët dhe oficerët e policisë, në nëntor të vitit 2022.

ÇFARË PO BËN NATO-ja NË KOSOVË?

Deri më tani, ka pasur rreth 3,800 trupa të NATO-s të stacionuara në Kosovë, kryesisht në detyra paqeruajtëse, por edhe për të vëzhguar kufijtë, veçanërisht atë me Serbinë, ku Beogradi aktualisht ka forcuar praninë e trupave të tij.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të martën se aleanca kishte dërguar 700 trupa të tjera në Kosovë për të ndihmuar në shuarjen e protestave të dhunshme dhe kishte vënë në gatishmëri një batalion tjetër në rast se trazirat përhapeshin.

SA I THELLË ËSHTË KONFLIKTI ETNIK NË KOSOVË?

Mosmarrëveshja për Kosovën është shekullore. Serbia e vlerëson rajonin si zemër të shtetësisë dhe fesë së saj.

Në Kosovë gjenden shumë manastire mesjetare të krishtera ortodokse serbe. Nacionalistët serbë e shohin një betejë të vitit 1389 kundër turqve osmanë atje si një simbol të luftës së tyre kombëtare.

Shumica e shqiptarëve të Kosovës e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe e akuzojnë Serbinë për pushtim dhe represion. Shqiptarët e Kosovës filluan një rebelim në vitin 1998 për të çliruar vendin nga sundimi serb.

Përgjigja brutale e Beogradit shkaktoi një ndërhyrje të NATO-s në vitin 1999, e cila e detyroi Serbinë të tërhiqej dhe t'ia dorëzonte kontrollin paqeruajtësve ndërkombëtarë.

A KA PASUR PËRPJEKJE PËR ZGJIDHJE TË MOSMARRËVESHJES?

Ka pasur përpjekje të vazhdueshme ndërkombëtare për të gjetur gjuhën e përbashkët midis dy ish-armiqve të kohës së luftës, por deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Zyrtarët e BE-së kanë ndërmjetësuar negociatat e krijuara për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshje të shumta janë arritur, por ato rrallë janë zbatuar në terren. Disa fusha kanë patur rezultate, si lëvizja e lirë brenda vendit.

KUSH JANË LOJTARËT KRYESORË?

Si Kosova ashtu edhe Serbia udhëhiqen nga drejtues nacionalistë të cilët nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis.

Në Kosovë, Albin Kurti, një ish-udhëheqës i protestave studentore dhe i burgosur politik në Serbi, drejton qeverinë dhe është negociatori kryesor në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja. Ai njihet edhe si mbështetës i zjarrtë i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe është kundër çdo kompromisi me Serbinë.

Serbia udhëhiqet nga presidenti populist Aleksandar Vuçiq, i cili ishte ministër i Informacionit gjatë luftës në Kosovë. Ish-ultranacionalisti këmbëngul se çdo zgjidhje duhet të jetë një kompromis në mënyrë që të zgjasë dhe thotë se nuk do të arrijë asnjë marrëveshje nëse vendi nuk fiton diçka.

ÇFARË NDODH MË PAS?

Zyrtarët ndërkombëtarë shpresojnë të përshpejtojnë negociatat dhe të arrijnë një zgjidhje në muajt e ardhshëm.

Të dy vendet duhet të normalizojnë marrëdhëniet nëse duan të përparojnë drejt anëtarësimit në BE. Mos arritja e një përparimi të madh do të nënkuptonte paqëndrueshmëri të zgjatur, rënie ekonomike dhe potencial të vazhdueshëm për përplasje.

Çdo ndërhyrje ushtarake serbe në Kosovë do të nënkuptonte një përplasje me paqeruajtësit e NATO-s të vendosur atje./ Marrë nga VOA

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?